Përkeqësohet situata nga zjarret në Krujë, Nufi: Mund të evakuohen banorët

12 Aug 2026 20:24
Shpërndaje:

Situata nga zjarret vijon të jetë problematike në disa zona të vendit, ndërsa vatra më shqetësuese mbetet ajo në Krujë, veçanërisht në lagjen “Abaze”, ku era e fortë dhe terreni malor po favorizojnë përhapjen e flakëve.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi për ABC News se situata në Krujë është përkeqësuar pas orës 14:00. Në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë të FA-së.

Sipas ministrit, nëse vlerësohet e nevojshme, autoritetet do të kryejnë edhe evakuimin e banorëve për të shmangur rrezikun për jetën dhe banesat.

Reklamë Ola

“Era favorizon flakët në Krujë. Pas vlerësimit të situatës, nëse është e nevojshme do të bëhet edhe evakuimi i banorëve”, tha Nufi, duke shtuar se terreni malor po vështirëson operacionet.

Situatë e vështirë paraqitet edhe në Grykë-Lurë, brenda Parkut Kombëtar, si dhe në Fier dhe Mirditë, ku janë aktive dy vatra zjarri.

Reklamë InterMedika

Në total, sipas ministrit, në operacionet kundër zjarreve janë angazhuar rreth 650 forca dhe 75 mjete. Në dispozicion janë gjithashtu pesë helikopterë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor.

Nufi e cilësoi situatën e krijuar në Krujë si një nga më të rrezikshmet e katër viteve të fundit, ndërsa theksoi se deri tani nuk është regjistruar asnjë viktimë.

Autoritetet presin që në fund të javës të ketë një ulje të temperaturave dhe mundësi për reshje lokale, të cilat mund të ndihmojnë në shuarjen e vatrave. Vlerësimi i dëmeve do të kryhet pas përfundimit të emergjencës.

Ministri u bëri gjithashtu apel qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Sipas tij, dyshimet kryesore janë se një pjesë e madhe e vatrave kanë si pikënisje faktorin njerëzor.

“Një zjarr i vogël, sidomos në këto temperatura të larta, mund të shumëfishohet dhe të kthehet në një krizë kombëtare”, paralajmëroi Nufi.