Sulme të ndërsjella mes Rusisë dhe Ukrainës, viktima e dhjetëra të plagosur/ Shkatërrohet edhe një magazinë e OBSH-së

09 Aug 2026 15:27
Shpërndaje:

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme të reja me raketa dhe dronë gjatë natës, duke shkaktuar viktima, dhjetëra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në disa qytete. Mes objekteve të goditura është edhe një magazinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Ukrainë, ku ruheshin furnizime emergjente për strukturat shëndetësore pranë vijës së frontit.

Sipas shërbimeve ukrainase të emergjencës, Rusia ndërmori një sulm masiv ndaj Odesës, ku të paktën tetë persona mbetën të plagosur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmi ndaj qytetit kishte në shënjestër infrastrukturën energjetike, por goditi gjithashtu ndërtesa banimi dhe zonën e portit.

Reklamë Ola

Zelensky e cilësoi atë si një “sulm brutal”, ndërsa denoncoi një seri goditjesh të tjera ruse ndaj qyteteve dhe rajoneve të Ukrainës.

Dy të vrarë dhe mbi 20 të plagosur në Kharkiv

Reklamë InterMedika

Një tjetër sulm rus goditi lagjen Saltivka në Kharkiv, duke lënë të paktën dy persona të vdekur dhe 21 të plagosur, sipas autoriteteve rajonale.

Shërbimet ukrainase të emergjencës njoftuan se ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin shtatë persona nga katet e sipërme të një ndërtese shumëkatëshe të goditur gjatë sulmit.

Edhe rajoni i Zhytomyrit u godit gjatë natës. Sipas shërbimeve të emergjencës, tre persona mbetën të plagosur.

Zelensky denoncoi gjithashtu sulmet ndaj Odesës, Kharkivit, Pavlohradit dhe zonave të tjera, duke i cilësuar goditjet ruse si “terror balistik”.

“Çdo sulm i tillë ndaj jetës njerëzore është një kujtesë e vazhdueshme: na duhet më shumë presion, më shumë sanksione kundër Rusisë dhe më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën”, deklaroi presidenti ukrainas.

Pesë të vrarë nga sulmet ukrainase në Belgorod

Ndërkohë, edhe autoritetet ruse raportuan viktima si pasojë e një sulmi ukrainas me dronë në qytetin e Belgorodit.

Sipas qendrës rajonale të krizave, pesë persona humbën jetën gjatë sulmit të natës.

Guvernatori në detyrë, Alexander Shuvayev, kishte raportuar fillimisht tre viktima dhe 25 të plagosur, duke e përshkruar atë si një “sulm masiv terrorist me dronë” nga Ukraina. Më pas, bilanci i viktimave u rrit në pesë.

Shkatërrohet magazina e OBSH-së në Dnipro

Një nga pasojat e sulmeve të fundit është edhe shkatërrimi i një magazine të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Dnipro.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri të ditur të dielën se magazina ishte shkatërruar nga një goditje e kryer të premten.

Në objekt ruheshin furnizime humanitare dhe materiale emergjente të destinuara për institucionet shëndetësore që operojnë pranë vijës së frontit.

Nga sulmi nuk pati viktima. Një punonjës i OBSH-së dhe drejtuesit e mjeteve arritën të largoheshin nga zona përpara goditjes.

Para evakuimit, ekipet mundën të shpëtonin 130 nga rreth 300 paleta me furnizime që ndodheshin në magazinë.

Tedros reagoi ashpër ndaj goditjes, duke bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj strukturave dhe shërbimeve shëndetësore.

“Sulmet ndaj kujdesit shëndetësor DUHET TË NDALEN. Përndryshe, njerëzve u mohohet kujdesi shëndetësor që shpëton jetë”, deklaroi kreu i OBSH-së.

Sulmet e fundit tregojnë vijimin e përshkallëzimit të goditjeve në të dyja anët e kufirit, ndërsa infrastruktura civile, energjetike dhe shëndetësore vazhdon të preket nga luftimet.