Rama mbledh qeverinë në Pogradec, në shtator priten lëvizje në kabinet dhe Asamblenë e PS

06 Aug 2026 22:20
Shpërndaje:

Ministrat e qeverisë “Rama 4” nuk do të kenë pushime verore deri në fund të muajit gusht, pasi Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë takimin tradicional informal të qeverisë përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Burime qeveritare konfirmojnë se më 24 dhe 25 gusht do të zhvillohet mbledhja informale e kabinetit, ku secili ministër do të raportojë mbi prioritetet dhe objektivat e dikasterit që drejton për muajt në vijim. Takimi pritet të mbahet në qytetin e Pogradecit.

Ndërkohë, zhvillime të rëndësishme priten edhe në Partinë Socialiste. Burime brenda forcës qeverisëse nuk përjashtojnë mundësinë që në fillim të shtatorit të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së, përpara rifillimit të punimeve të Kuvendit, seanca e parë e të cilit është planifikuar më 7 shtator.

Reklamë Ola

Nëse Asambleja do të zhvillohet, ajo mund të shërbejë edhe si momenti kur Kryeministri Rama të shpallë ndryshime në kabinetin qeveritar. Prej javësh në qarqet politike qarkullojnë zëra për një rifreskim të drejtimit në të paktën gjashtë ministri, megjithëse vendimi përfundimtar mbetet në dorën e kreut të qeverisë, i njohur për lëvizjet surprizë.

Fillimi i shtatorit pritet të jetë intensiv si për qeverinë, ashtu edhe për Partinë Socialiste, në vijim të kërkesës së shtuar për llogaridhënie që Rama u ka vendosur ministrave dhe strukturave drejtuese, në kuadër të dokumentit “Besa”, të prezantuar si metoda e re e punës për mandatin e katërt qeverisës.

Reklamë InterMedika

Në rast se do të mblidhet Asambleja Kombëtare, në rendin e ditës pritet të përfshihet edhe mocioni për hapjen e dialogut kombëtar mbi një marrëveshje të re për Shqipërinë, i depozituar në Partinë Socialiste nga deputetja Elisa Spiropali.