PDK refuzon bashkëpunimin me Kurtin, Gruda: Nuk negociojmë me dikë që kërkon të gjitha pushtetet

06 Aug 2026 09:07
Shpërndaje:

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka rikonfirmuar se nuk do të ndryshojë qëndrim ndaj ftesës së kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim politik, duke theksuar se vendimi për të mos marrë pjesë në takimin e thirrur prej tij ka qenë i menduar dhe i bazuar në qëndrimet politike të partisë.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, deklaroi se partia nuk është penduar për refuzimin e ftesës, duke sqaruar se vendimi nuk ishte marrë me nxitim, pa diskutime apo si pasojë e ndonjë pakënaqësie personale.

“Nuk jemi pishman, sepse kjo nuk është një përgjigje e marrë me ngut, as pa një diskutim dhe as si rezultat i ndonjë inati. Përgjigjja ‘jo’ është fare e thjeshtë, sepse nuk ka ndryshuar asgjë që para zgjedhjeve të 7 qershorit”, u shpreh Gruda.

Reklamë Ola

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka mbajtur të njëjtin qëndrim politik edhe pas takimeve me partitë opozitare, duke synuar, sipas PDK-së, të ruajë kontrollin mbi të gjitha institucionet e vendit.

“Zoti Kurti i ka shfaqur të njëjtat pritje dhe ambicie. Ai do t’i marrë të gjitha pushtetet, përfshirë edhe postin e presidentit. Po përpiqet të krijojë përshtypjen se po e ndan pushtetin me opozitën, por në fakt nuk po e ndan atë”, deklaroi Gruda.

Reklamë InterMedika

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si po zhvillohen takimet politike, duke i cilësuar ato si përpjekje për të krijuar perceptime publike dhe jo për të arritur marrëveshje konkrete.

“Ne nuk kemi nevojë të marrim pjesë në një teatër politik, ku shkohet në takime vetëm për të prodhuar lajme që i duhen Kurtit”, tha ai.

Gruda theksoi se PDK nuk mbështet një marrëveshje politike që, sipas tij, do t’i jepte Albin Kurtit kontroll mbi të gjitha institucionet shtetërore, por njëkohësisht nënvizoi se partia nuk dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Ne nuk shkojmë të negociojmë me një njeri që i do të gjitha pushtetet, por as nuk duam ta çojmë Kosovën në zgjedhje. Ne qëndrojmë me opozitën dhe do të negociojmë me të tjerët”, përfundoi deputeti i PDK-së.