Administrata e Presidentit Donald Trump ka hedhur poshtë me forcë raportimet e mediave ndërkombëtare se rezervat e raketave të ushtrisë amerikane janë zvogëluar ndjeshëm, duke këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara disponojnë kapacitete të mjaftueshme për t’iu përgjigjur çdo skenari ushtarak.
Debati është intensifikuar ditët e fundit, pasi disa media raportuan se konsumi i madh i raketave gjatë muajve të fundit ka reduktuar ndjeshëm rezervat amerikane. Sipas këtyre raportimeve, situata mund të ndikojë jo vetëm në aftësinë e SHBA-së për të ndërmarrë operacione të reja kundër Iranit, por edhe në ekuilibrin strategjik në rajonin Azi-Paqësor dhe në mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Një nga raportet që nxiti diskutimin u publikua në fund të korrikut nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS). Sipas analizës, rezervat e raketave mbrojtëse Patriot janë reduktuar nga rreth 2.300 para konfliktit me Iranin në rreth 830 njësi. Ndërkohë, rezervat e raketave THAAD, të përdorura për të neutralizuar raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, thuhet se kanë rënë nga 452 në 278.
Në fillim të kësaj jave, CNN dhe Reuters raportuan, duke cituar burime të Pentagonit, se rezervat e raketave sulmuese ATACMS dhe Precision Strike Missiles (PrSM) janë konsumuar në masë të madhe. Sipas Reuters, pothuajse të gjitha raketat e këtij lloji janë përdorur, ndërsa SHBA-ja ka shpenzuar edhe rreth gjysmën e rezervave të raketave Tomahawk, të lëshuara nga anije luftarake dhe nëndetëse.
Ekspertët theksojnë se një tjetër sfidë lidhet me ritmin e prodhimit të armëve. Sipas CNN, industria amerikane prodhon mesatarisht rreth 15 raketa Tomahawk dhe 20 raketa Patriot në muaj, çka nënkupton se rikthimi i rezervave në nivelet e mëparshme mund të kërkojë deri në dy vjet. Ndërsa raketat PrSM pritet të prodhohen më shpejt dhe rezervat e tyre mund të rikuperohen deri në mesin e vitit të ardhshëm.
Megjithatë, administrata Trump mohon kategorikisht se ekziston një problem me arsenalin amerikan. Presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA-ja ka “shumë më tepër municione se kushdo tjetër në botë” dhe madje “shumë më tepër sesa i nevojiten”, duke shtuar se industria amerikane e mbrojtjes po prodhon armë dhe municione në nivele rekord.
Edhe zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, siguroi se forcat e armatosura amerikane disponojnë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të zbatuar vendimet e presidentit.
Ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, reagoi ashpër ndaj raportimeve të mediave, duke sulmuar veçanërisht CNN për publikimin e të dhënave mbi rezervat e raketave.
“Kjo nuk është e vërtetë. Duhet t’ju vijë turp”, shkroi Hegseth në platformën X, ndërsa i cilësoi mediat që raportuan për këtë çështje si “media të neveritshme të lajmeve të rreme”.
Pavarësisht mohimeve të administratës amerikane, raportimet kanë ngritur shqetësime se një ulje e rezervave të raketave mund të ndikojë në aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t’iu përgjigjur njëkohësisht krizave të mundshme me Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut apo aktorë të tjerë strategjikë.


