Marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës po përballen me një tjetër moment tensioni, pasi administrata e presidentit Donald Trump ka vonuar miratimin e Aurélien Lechevallier si ambasadori i ri francez në Uashington.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, procesi është bllokuar pas reagimit të Uashingtonit ndaj një postimi të misionit francez pranë OKB-së në Gjenevë, i cili kritikoi SHBA-në për votën kundër rinovimit të mandatit të Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, misioni francez shkroi se “Shtetet e Bashkuara dikur ishin simbol i të drejtave të njeriut. Tashmë jo më, dhe bota nuk i dëgjon më”. Deklarata shkaktoi reagimin e delegacionit amerikan, i cili braktisi një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në shenjë proteste.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi se SHBA është “shumë e zhgënjyer nga retorika e papërgjegjshme dhe mungesa e respektit nga pala franceze”, duke shtuar se Uashingtoni po përgjigjet në mënyrën e duhur ndaj këtyre deklaratave.
Aurélien Lechevallier, një bashkëpunëtor i afërt i presidentit Emmanuel Macron dhe aktualisht shef kabineti i ministrit të Jashtëm Jean-Noël Barrot, pritej të merrte detyrën muajin e ardhshëm. Miratimi i ambasadorëve nga vendi pritës zakonisht konsiderohet një procedurë formale mes vendeve aleate, por këtë herë procesi është zvarritur.
Megjithatë, burime diplomatike shprehen optimiste se mosmarrëveshja do të tejkalohet dhe se emërimi i Lechevallier nuk do të bllokohet përfundimisht.
Pavarësisht marrëdhënieve personale të mira që Macron dhe Trump kanë shfaqur në publik, përfshirë takimin dhe darkën zyrtare në Pallatin e Versajës gjatë vizitës së presidentit amerikan në Francë në muajin qershor, dy liderët vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për çështje si NATO, Ukraina, tregtia dhe politika ndërkombëtare.
Një ish-zyrtar francez e cilësoi vonesën në miratimin e ambasadorit si një episod simbolik që tregon se tensionet mes dy vendeve mbeten të pranishme, edhe pse nuk pritet të kenë ndikim afatgjatë në marrëdhëniet strategjike.
Ndërkohë, një zyrtar i partisë “Renaissance” të Macron e konsideroi të papranueshme faktin që administrata amerikane po ushtron presion ndaj një diplomati të lartë francez.
Edhe Ministria e Jashtme e Francës ka shmangur përshkallëzimin e situatës. Parisi nuk ka protestuar publikisht për vonesën, por një diplomat francez theksoi se mbështetja për rinovimin e mandatit të Volker Türk ishte një qëndrim i njohur i Francës dhe se mospajtimet në OKB nuk duhet të cenojnë bashkëpunimin mes dy aleatëve.
Mosmarrëveshja vjen në një periudhë tensionesh më të gjera mes Parisit dhe Uashingtonit. Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot ka kritikuar së fundmi ndërhyrjen ushtarake amerikane në Venezuelë, kërcënimet ndaj Grenlandës dhe presionin e SHBA-së në negociatat tregtare, duke deklaruar se Franca nuk do t’i nënshtrohet “shantazhit” amerikan.
Gjithashtu, marrëdhëniet mes Ministrisë së Jashtme franceze dhe ambasadorit amerikan në Paris, Charles Kushner, janë ftohur pas deklaratave të tij mbi antisemitizmin në Francë dhe akuzave për ndërhyrje në politikën e brendshme franceze. Sipas burimeve diplomatike, Kushner është thirrur dy herë në Ministrinë e Jashtme franceze për të dhënë sqarime.


