Senati amerikan konfirmon Eric P. Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri

06 Aug 2026 08:45
Shpërndaje:

Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Eric P. Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri, duke miratuar emërimin e tij me 50 vota pro dhe 44 kundër.

Votimi u zhvillua në seancë plenare të Senatit amerikan dhe përbën miratimin përfundimtar të kandidaturës së Wendt për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë.

Pas këtij vendimi, hapi i fundit procedural mbetet nënshkrimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, i cili do të finalizojë zyrtarisht emërimin e Eric P. Wendt në postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri.

Reklamë Ola

Wendt është një ushtarak me një karrierë të gjatë në Forcat e Armatosura amerikane. Ai shërben si oficer aktiv që prej vitit 1986 dhe, që nga viti 1991, është pjesë e forcave speciale “Green Beret”, ku ka ndërtuar një profil të spikatur në fushën e operacioneve speciale.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ai mori pjesë në një sërë misionesh ndërkombëtare. Ka drejtuar një ekip të Komandës së Paqësorit të SHBA-së në Indonezi dhe ka qenë i angazhuar në operacionin “Liria e Qëndrueshme” në Filipine dhe Afganistan, si edhe në operacionin “Liria e Irakut”.

Reklamë InterMedika

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur një sërë detyrash drejtuese në ushtrinë amerikane, përfshirë postin e ndihmësit ushtarak kryesor të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së. Ai ka komanduar njësi të forcave speciale në të gjitha nivelet, nga ekipet operative deri te komandat rajonale të operacioneve speciale.

Në vitin 2017, ai u emërua Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke luajtur një rol kyç në koordinimin e çështjeve të sigurisë në Lindjen e Mesme.

Eric P. Wendt zotëron gjuhën arabe dhe atë koreane dhe është nderuar me një sërë dekoratash ushtarake dhe ndërkombëtare. Mes tyre përfshihen Kryqi i Artë i Nderit i Gjermanisë për shërbimin në Afganistan, një vlerësim presidencial nga Filipinet, medalje nga Koreja e Jugut, si edhe disa nga insignat më prestigjioze të ushtrisë amerikane, përfshirë distinktivët “Ranger”, “Green Beret”, parashutistit të avancuar, sulmeve ajrore dhe këmbësorisë luftarake.