Kur ambicia personale maskohet si patriotizëm

01 Aug 2026 14:41
Shpërndaje:

Ka një kategori politikanësh që, sapo largohen nga forca politike që i krijoi, përpiqen të rishkruajnë historinë e tyre. Harrojnë se ku ishin, si erdhën dhe kush u dha mundësinë të përfaqësonin qytetarët. Në vend të mirënjohjes, zgjedhin sulmin. Në vend të argumentit, populizmin.

Marjana Koçeku Neomalësorja, që sot sillet sikur ka monopolin e përfaqësimit të Malësisë, është pikërisht një rast i tillë. Në moshën 25-vjeçare, pa një histori kontributesh politike, iu besua një mandat deputeteje dhe u ngjit në nivelet më të larta të politikës shqiptare. Ky ishte një akt besimi nga partia që e promovoi.

Sot, në vend që ta respektojë atë besim, ajo ka zgjedhur ta sulmojë me çdo mjet, duke e kthyer politikën në një garë personale hakmarrjeje.

Reklamë Ola

Rasti i fundit është edhe më domethënës. Ajo bën thirrje për protesta kundër mundësisë së hapjes së një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër, pa shpjeguar asnjë argument serioz dhe duke heshtur për pjesën më të rëndësishme të nismës: hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës, një zhvillim me rëndësi të veçantë për dhjetëra mijëra shqiptarë që jetojnë atje.

Nëse shqetësimi do të ishte vërtet interesi kombëtar, debati do të ishte i balancuar dhe do të merrte në konsideratë të gjitha aspektet e marrëveshjes. Por kur fshihen faktet që nuk i shërbejnë narrativës politike, atëherë nuk kemi të bëjmë me patriotizëm, por me oportunizëm.

Reklamë InterMedika

Më e habitshme është përpjekja për t’u paraqitur si zëri i vetëm i interesit kombëtar, ndërkohë që diplomacia shqiptare punon çdo ditë për çështjet e Kosovës, të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të gjithë rajonit. Patriotizmi nuk matet me postime në rrjetet sociale dhe as me thirrje për protesta. Ai matet me përgjegjësi, seriozitet dhe aftësinë për të mos përdorur çështjet kombëtare si armë në konfliktet e politikës së ditës.

Kritika është e nevojshme në demokraci. Protesta është një e drejtë kushtetuese. Por kur të dyja ndërtohen mbi gjysmë të vërteta, manipulim dhe sulme personale, ato humbasin legjitimitetin moral. Qytetarët kanë nevojë për debat me argumente, jo për spektakël politik të ndërtuar mbi ambicie personale.

Politika nuk është mirënjohje e përjetshme ndaj askujt, por kërkon një minimum koherence dhe integriteti. Kush ndërton karrierën falë besimit të të tjerëve dhe më pas e përdor atë si armë kundër çdo gjëje që dikur e ngriti, vështirë se mund të bindë se po vepron për interesin publik. Në fund, qytetarët dinë të dallojnë mes bindjes dhe interesit, mes parimit dhe oportunizmit.