Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se në zonën e Alpeve Shqiptare po realizohet një investim strategjik që synon të zgjidhë një problematikë shumëvjeçare të furnizimit me energji elektrike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Karakaçi bëri të ditur se projekti përfshin ndërtimin e një linje të re ajrore 35 kV me gjatësi rreth 27 kilometra, si dhe ndërtimin e dy nënstacioneve të reja elektrike në Dedaj dhe Bogë.
Sipas ministrit, investimi do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji elektrike për banorët dhe bizneset e zonës, duke rritur njëkohësisht sigurinë energjetike.
Karakaçi njoftoi gjithashtu se së shpejti do të nisin punimet edhe në zonën e Thethit, me synimin për të garantuar furnizim më të qëndrueshëm me energji për të gjithë abonentët.
“Po investojmë kudo për të rritur cilësinë e shërbimit dhe për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të rajoneve”, u shpreh ministri.


