Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit për këtë sezon disa akte që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes, mes të cilave ndryshime në ligjin për TVSH-në dhe projektaktin për pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se ndryshimet në ligjin për TVSH synojnë lehtësimin e procedurave për kompanitë dhe ndërmarrjet e përbashkëta që operojnë në industrinë e mbrojtjes, duke nxitur investimet dhe sjelljen e teknologjive të avancuara në këtë sektor.
Sipas tij, lehtësitë do të ndikojnë në zhvillimin e fabrikave dhe kompanive që prodhojnë mjete dhe pajisje ushtarake në Shqipëri, duke garantuar furnizim më të shpejtë për Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë.
“Ky lehtësim është i jashtëzakonshëm për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre fabrikave dhe kompanive në Republikën e Shqipërisë për prodhimin e mjeteve dhe pajisjeve ushtarake, duke garantuar që prodhimi për Forcat e Armatosura dhe Forcat e Sigurisë të realizohet në kohë reale”, u shpreh Nufi.
Ai bëri të ditur se në ditët në vijim do të prezantohen edhe rezultatet konkrete të prodhimit të mjeteve ushtarake në vend.
Ministri njoftoi gjithashtu se Qeveria ka miratuar projektaktin që do t’i dërgohet Kuvendit për miratimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Sipas Nufit, Shqipëria do të përfaqësohet fillimisht me katër oficerë shtabi. Pas vendosjes së tyre në mision, do të vlerësohet niveli i mëtejshëm i angazhimit të vendit, përfshirë numrin e trupave që mund të dërgohen dhe zonën ku do të dislokohen në Gaza.
“Republika e Shqipërisë do të ketë një përfaqësi në Gaza, duke filluar fillimisht me katër oficerë shtabi. Pas vendosjes së tyre do të vlerësohet niveli konkret i trupave që do të dërgohen dhe vendndodhja ku do të dislokohen”, deklaroi ministri.


