Sanksionet ekonomike po i shkaktojnë Iranit dëme më të mëdha sesa sulmet ushtarake, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, të cilët i referohen vlerësimeve të inteligjencës mbi përkeqësimin e situatës ekonomike në vend.
Sipas një zyrtari amerikan, regjimi iranian po përballet me mungesë të theksuar fondesh, ndërsa prioriteti kryesor i autoriteteve është sigurimi i burimeve financiare.
“Iranianët duan të ndalojnë bombardimet dhe duan para. Por, në këtë renditje, ata duan para së pari”, tha zyrtari amerikan.
Burimet e inteligjencës pretendojnë se Teherani po has vështirësi në financimin e subvencioneve dhe sigurimin e furnizimit me karburant. Gjithashtu, ekziston shqetësimi se qytetarët mund të nxitojnë të tërheqin kursimet nga bankat, duke shtuar presionin mbi sistemin financiar të vendit.
Të martën, më 28 korrik, konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit hyn në muajin e gjashtë, megjithëse për katër net radhazi nuk janë regjistruar sulme mes dy vendeve.
Në këtë kontekst, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka rifilluar bisedimet me SHBA-në për arritjen e një marrëveshjeje.
“Irani po flet me ne për arritjen e një marrëveshjeje tani. Negociata shumë miqësore janë duke u zhvilluar dhe do të shohim se si do të shkojë”, u shpreh Trump.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në Uashington, ku pritet të zhvillojë një takim me presidentin Trump. Sipas raportimeve, në fokus të bisedimeve do të jenë edhe zhvillimet e fundit lidhur me Iranin.


