UKT intensifikon masat për verën, Flauers Shoshi mbledh administratorët e njësive administrative
Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), Flauers Shoshi, zhvilloi një takim pune me administratorët e njësive administrative të Vaqarrit, Pezës, Baldushkut, Ndroqit, Petrelës dhe Dajtit, në kuadër të përgatitjeve për sezonin veror dhe rritjen e kërkesës për furnizim me ujë.
Gjatë mbledhjes u diskutuan dhe u koordinuan hapat e parë të planit veror, duke përcaktuar pikat prioritare të ndërhyrjes dhe masat për forcimin e kapaciteteve menaxhuese në terren. Qëllimi kryesor i këtyre masave është garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për banorët e këtyre zonave gjatë muajve të verës, kur konsumi shënon rritje të ndjeshme.
Drejtori i UKT-së, Flauers Shoshi, vlerësoi bashkëpunimin me administratorët e njësive administrative, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm mes strukturave vendore dhe UKT-së për të parandaluar problematikat dhe për të siguruar reagim të shpejtë ndaj çdo situate që mund të paraqitet.
UKT bën të ditur se strukturat e saj do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë sezonit veror, me fokus monitorimin e rrjetit, ndërhyrjet në terren dhe menaxhimin efikas të burimeve ujore për të garantuar shërbim sa më cilësor për qytetarët.
Për çdo shqetësim apo problematikë, qytetarët mund të kontaktojnë UKT-në në kanalet zyrtare të komunikimit.







