×
Saturday, May 30, 2026

Rama nga Lezha: PS i ka ngritur kokën çdo shqiptari, Shqipëria sot respektohet në botë

May 30, 2026


Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi nga Lezha, gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, se kjo forcë politike ka luajtur një rol vendimtar në transformimin e Shqipërisë dhe në forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar.

Në fjalën e mbajtur para socialistëve lezhianë, Rama tha se pavarësisht gabimeve dhe sfidave të hasura ndër vite, bilanci i përgjithshëm i qeverisjes socialiste është pozitiv dhe lidhet drejtpërdrejt me interesin kombëtar dhe aspiratat europiane të shqiptarëve.

“Ne kemi plot të meta, kemi bërë plot gabime. Kur vjen puna te pamja e madhe, është një pamje që flet vetë për ne. Flet vetë raporti me interesin kombëtar, me historinë dhe botën. Është PS në qeveri sot që ia ka ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është. E ka bërë Shqipërinë nga delja e zezë një dekadë më parë në një vend që është më afër se kurrë realizimit të një ëndrre historike”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te kultura politike që, sipas tij, ka karakterizuar Partinë Socialiste gjatë këtyre viteve, duke theksuar se socialistët kanë zgjedhur rrugën e tolerancës dhe të respektit, pavarësisht sulmeve dhe akuzave të vazhdueshme nga kundërshtarët politikë.

Rama tha se PS nuk ka ndjekur logjikën e përçarjes dhe hakmarrjes politike, por ka mbetur e fokusuar te ndërtimi i institucioneve dhe te rruga europiane e vendit.

“Socialistët që nuk iu bashkuan dhunës, piramidave dhe shkatërrimeve dhe nuk mishëruan një pushtet familjar mbi të tjerët, i bashkon diçka që është Europa në zemër dhe të qenit europian në mendje”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë theksoi se, megjithëse ai dhe familja e tij kanë qenë shpesh objekt sulmesh politike dhe personale, nuk ka zgjedhur t’u përgjigjet kundërshtarëve me të njëjtën gjuhë.

“Keni parë ndonjëherë që t’ua kthejmë atyre me të njëjtat mjete? Asnjëherë. Nuk kanë lënë gjë pa thënë për familjen time, për fëmijët e mi, për të vdekurit në shtëpinë time, por kurrë nuk do të dëgjoni që unë të flas për familjet e tyre apo për të vdekurit në shtëpitë e tyre, sepse kjo nuk është europiane, kjo nuk është njerëzore”, tha Rama.

Sipas tij, dallimi kryesor mes Partisë Socialiste dhe kundërshtarëve politikë qëndron te respekti për njerëzit dhe te vlerat europiane që, sipas Ramës, kanë udhëhequr veprimtarinë politike të socialistëve gjatë këtyre 35 viteve.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri theksoi se Partia Socialiste do të vazhdojë të punojë për realizimin e objektivit strategjik të integrimit europian, duke e cilësuar atë si aspiratën më të madhe historike të shqiptarëve.




Comments are closed.