“Paketa e Maleve”: Qeveria shpall zona prioritare zhvillimi në Gjirokastër dhe Fier
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot shpalljen e disa zonave në bashkitë Gjirokastër dhe Fier si “Zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”, në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 20/2025 “Për paketën e maleve”.
Vendimi synon të nxisë zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik në këto territore, duke krijuar kushte më të favorshme për investime dhe për zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve lokale.
Në bashkinë e Gjirokastrës janë përfshirë nëntë zona prioritare, që shtrihen në fshatrat Fushëbardhë, Zhulat, Asim Zeneli, Golem, Kolonjë, Krinë, Tranoshisht, Erind, Nokovë, Mingul dhe Shtëpëz, me një sipërfaqe totale prej mbi 1,500 hektarësh.
Ndërkohë, në bashkinë e Fierit janë shpallur tetë zona prioritare në njësitë administrative Libofshë, Cakran, Dërmenas, Frakull, Levan, Mbrostar Ura, Portëz dhe Qendër, me një sipërfaqe prej mbi 16 mijë hektarësh.
Sipas vendimit, në këto zona do të mbështeten aktivitete që lidhen me zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik, me qëllim rritjen e potencialit të territorit dhe krijimin e mundësive të reja për investime dhe punësim.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse të Gjirokastrës dhe Fierit.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.







