×
Friday, May 29, 2026

Jaupaj në Monaco: Mbrojtja e natyrës, prioritet global dhe kombëtar

May 28, 2026


Ministri i Mjedisit mori pjesë si folës kryesor në edicionin e 17-të të forumit ndërkombëtar “Monaco Blue Initiative”, një nga platformat më të rëndësishme globale për diskutimin e çështjeve që lidhen me mbrojtjen e oqeaneve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë blu.

Forumi u zhvillua nën patronazhin e Lartësisë së Tij, Princit Albert II dhe Princeshës Charlene të Monacos, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, akademisë, organizatave globale dhe politikëbërës nga vende të ndryshme të botës.

Diskutimet u përqendruan në të ardhmen e oqeaneve dhe deteve, veçanërisht në kuadër të Marrëveshjes për Biodiversitetin Përtej Juridiksionit Kombëtar (BBNJ), e cila konsiderohet një instrument kyç për mbrojtjen e biodiversitetit në hapësirat detare që nuk i përkasin juridiksioneve kombëtare.

Në këtë forum, Shqipëria prezantoi qasjen dhe politikat e saj në fushën e mbrojtjes së mjedisit, duke vënë theksin te forcimi i zonave të mbrojtura, ruajtja e biodiversitetit dhe rritja e rolit të diplomacisë mjedisore në bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Shqipëria beson se mbrojtja e natyrës dhe diplomacia mjedisore janë sot jo vetëm një përgjegjësi globale, por edhe një mundësi për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes kombeve”, u shpreh ministri Jaupaj gjatë fjalës së tij.

Ai theksoi se sfidat mjedisore kërkojnë qasje të përbashkët dhe koordinim mes shteteve, duke nënvizuar rëndësinë e mekanizmave ndërkombëtarë dhe partneriteteve në adresimin e çështjeve që lidhen me ndryshimet klimatike dhe degradimin e ekosistemeve detare.

“Monaco Blue Initiative” shërben si një platformë e rëndësishme dialogu, ku çdo vit takohen përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, sektorit privat, komunitetit shkencor dhe medias, me synimin për të identifikuar zgjidhje konkrete dhe për të promovuar sinergjitë mes mbrojtjes së mjedisit detar dhe zhvillimit ekonomik.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e rolit të saj në arenën ndërkombëtare për çështjet mjedisore dhe në rritjen e angazhimit për një zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me standardet dhe marrëveshjet globale.




Comments are closed.