×
Tuesday, May 26, 2026

Hoxha takon homologun francez në Bruksel: Fokus zgjerimi i BE dhe bashkëpunimi strategjik

May 26, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Bruksel me ministrin francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i zgjerimit të Bashkimi Evropian, situata në Ballkanin Perëndimor dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal.

Në një reagim në rrjetin social “X”, Hoxha e cilësoi takimin si “thelbësor”, duke theksuar rëndësinë e koordinimit mes dy vendeve në një moment kyç për procesin integrues të Shqipërisë.

“Shumë i kënaqur nga takimi i sotëm me Ministrin Francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, me të cilin zhvilluam një diskutim thelbësor, veçanërisht mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, situatën në Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal”, u shpreh Hoxha.

Ai nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës janë në një fazë shumë pozitive, duke i cilësuar ato si më të forta dhe më premtuese se kurrë më parë.

Ministri shqiptar shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë, duke vlerësuar qëndrimin e saj në favor të një Evrope më të bashkuar dhe më të zgjeruar.

“Shpreha mirënjohjen time të thellë për qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Francës në mbështetje të një Evrope më të zgjeruar, më të bashkuar dhe më të fortë”, theksoi ai.

Sipas Hoxhës, përtej dialogut politik, bashkëpunimi dypalësh po konkretizohet përmes projekteve konkrete në fusha strategjike si inovacioni, energjia e gjelbër, mbrojtja, arsimi dhe shkëmbimet kulturore.

Në përfundim, ai bëri të ditur se të dyja palët riafirmuan angazhimin për të thelluar më tej partneritetin dhe për të forcuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në funksion të avancimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.




Comments are closed.