Hoxha në Pragë: Kosova meriton statusin kandidat në BE
Ministri i Europës dhe i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Pragë me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, në margjinat e Forumit GLOBSEC.
Gjatë takimit, Hoxha vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Europian në mbështetje të Kosovës, veçanërisht në drejtim të konsolidimit demokratik, forcimit të institucioneve, reformave në sundimin e ligjit dhe zhvillimit ekonomik.
Ai theksoi se Kosova mbetet e orientuar qartë drejt integrimit europian dhe është plotësisht në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Sipas tij, ky angazhim duhet të njihet konkretisht me dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën, duke e cilësuar këtë si një sinjal të rëndësishëm politik dhe inkurajues për qytetarët dhe për të ardhmen europiane të rajonit.
Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të BE-së dhe të përfaqësuesve të saj në avancimin e dialogut, duke theksuar se ndërtimi dhe ruajtja e besimit mes palëve është thelbësor për suksesin e procesit.
Në këtë kuadër, ai kërkoi edhe sigurimin e përgjegjësisë së plotë për sulmin në Banjska, duke e konsideruar këtë një element kyç për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe besimit në rajon.
Ministri theksoi se dialogu mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për paqe dhe bashkëpunim afatgjatë në rajon.
Në përfundim, ai rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht këtë proces dhe është e gatshme të kontribuojë në mënyrë konstruktive për avancimin e dialogut dhe stabilitetin rajonal.







