×
Friday, May 22, 2026

Shqipëria drejt fazës përmbyllëse të negociatave me BE – Koçiu: Hap historik për integrimin europian

May 22, 2026


Zëvendëskryeministrja deklaroi se Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri –, e cila do të mbahet më 26 maj në Bruksel, përbën një moment kyç për rrugëtimin europian të vendit.

Sipas saj, kjo konferencë “vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në familjen europiane.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se miratimi i raportit të IBAR-it nga vendet anëtare të BE-së është një dëshmi e progresit të arritur nga Shqipëria në reformat kyçe.

“Shqipëria Europiane është një histori suksesi që e shkruajmë çdo ditë bashkë dhe që lexohet qartë në çdo tryezë të Brukselit”, u shpreh ajo, duke nënvizuar përkushtimin institucional dhe mbështetjen qytetare në këtë proces.

Zv/kryeministrja reagoi gjithashtu ndaj kritikave dhe përpjekjeve për të dëmtuar imazhin e vendit, duke deklaruar se “përballë çdo tentative për të nxirë imazhin e vendit dhe për të bllokuar progresin, puna fiton gjithmonë, Shqipëria fiton gjithmonë”.

Koçiu e cilësoi këtë zhvillim si një moment krenarie kombëtare, jo vetëm për institucionet, por edhe për çdo qytetar që beson në të ardhmen europiane të vendit. Ajo përmendi gjithashtu objektivin strategjik “Shqipëria 2030”, si një vizion për integrimin e plotë në BE.

Ndërkohë, miratimi i raportit të IBAR-it nga vendet e BE-së, i dhënë një ditë më parë, konsiderohet një hap vendimtar në procesin e negociatave, pasi konfirmon përparimin në reformat e sundimit të ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE shihet si një nga momentet më të rëndësishme të procesit të zgjerimit, pasi hap rrugën për avancimin teknik dhe politik të negociatave, si dhe përshpejtimin e mbylljes së kapitujve negociues.

Ky zhvillim e vendos Shqipërinë më pranë objektivit të saj strategjik për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, duke forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe duke rritur besimin në perspektivën europiane të vendit.




Comments are closed.