Lamallari: Zero tolerancë për policët që bashkëpunojnë me krimin
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të zhvilluar në Sarandë, ku u arrestuan disa drejtues dhe punonjës policie, të dyshuar për bashkëpunim me elementë kriminalë dhe shpërdorim detyre.
Në reagimin e tij, Lamallari theksoi se në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin apo tradhton besimin e qytetarëve, duke e cilësuar operacionin si një hap të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit brenda strukturave të sigurisë.
Ai përgëzoi bashkëpunimin mes Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit, duke theksuar se ky nuk është rasti i parë dhe nuk do të jetë i fundit në përpjekjet për të pastruar institucionin.
Reagimi i plotë i ministrit:
“Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë.
E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit.
Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit.
Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jetë me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë.
Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa!”
Ministri theksoi se lufta kundër abuzimit dhe korrupsionit brenda policisë do të vijojë me të njëjtin intensitet, duke garantuar se çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit.







