Në Vlorë nis konsultimi për reformën territoriale, Mazniku: Fokus te shërbimet, jo vetëm te ndarjet
Në Vlorë po zhvillohet konsultimi publik për reformën e re administrativo-territoriale, në një moment kur edhe Parlamenti Evropian, përmes raportit për Shqipërinë 2025, ka vlerësuar vijimin e punës për këtë proces të rëndësishëm.
Raporti thekson se çdo reformë në këtë fushë duhet të ndërtohet mbi një proces gjithëpërfshirës dhe të bazohet në kritere objektive socio-ekonomike, në përputhje me standardet evropiane të vetëqeverisjes vendore.
Në fjalën e tij, bashkëkryetari i komisionit për reformën, Arbjan Mazniku, e cilësoi reformën territoriale të vitit 2014 si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në organizimin e pushtetit vendor në vend.
Ai theksoi se kjo reformë ndryshoi ndjeshëm mënyrën se si qytetarët përfitojnë shërbimet nga bashkitë, duke reduktuar 373 njësi vendore në vetëm 61 bashki dhe duke rritur eficiencën në ofrimin e shërbimeve bazë si infrastruktura, ujësjellësi dhe arsimi.
“Për shumë njerëz, fytyra e shtetit është bashkia,” u shpreh Mazniku, duke nënvizuar rëndësinë e pushtetit vendor në jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas tij, të dhënat tregojnë përmirësim të gjendjes financiare të bashkive, me një ulje të ndjeshme të borxheve ndaj palëve të treta krahasuar me periudhën para reformës.
Megjithatë, ai pranoi se sfidat mbeten të ndryshme nga një bashki në tjetrën, sidomos për shkak të ndryshimeve demografike dhe zhvillimore, të cilat po ushtrojnë presion mbi burimet financiare dhe kapacitetet njerëzore të pushtetit vendor.
Mazniku theksoi se diskutimi për reformën nuk duhet të fokusohet vetëm te ndarjet territoriale, pasi kjo shpesh sjell tensione lokale, por duhet të orientohet drejt mënyrës se si bashkitë ushtrojnë funksionet e tyre dhe përmirësojnë cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Procesi i konsultimit pritet të vijojë edhe në zona të tjera të vendit, me synimin për të ndërtuar një reformë më funksionale dhe të qëndrueshme për administrimin vendor në Shqipëri.







