Marrëveshje Shqipëri–Itali për prodhimin e anijeve ushtarake në Pashaliman
Një marrëveshje e rëndësishme në fushën e mbrojtjes është firmosur sot, duke shënuar një hap të ri drejt modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare dhe zhvillimit të industrisë detare në vend.
Marrëveshja është nënshkruar mes kompanisë italiane Fincantieri, një nga liderët më të mëdhenj europianë në ndërtimin e anijeve, dhe kompanisë shqiptare KAYO. Ajo parashikon prodhimin e anijeve në kantierin detar të Pashaliman, një nga pikat strategjike të industrisë detare në Shqipëri.
Sipas marrëveshjes, në Shqipëri do të prodhohen anije lundruese që do të përdoren për nevojat e ushtrisë shqiptare, por edhe për tregje të tjera, duke përfshirë vende aleate.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi këtë marrëveshje si një moment të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industriale të vendit.
“Me këtë nënshkrim, kompania KAYO fillon një fazë të re bashkëpunimi me Fincantieri. Jam i bindur se ky partneritet do të jetë një krenari për ne,” u shpreh ministri.
Ai theksoi se ky bashkëpunim nuk do të ndikojë vetëm në modernizimin e ushtrisë, por edhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike në Shqipëri, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe punësim.
Fincantieri njihet globalisht për projektet e saj të avancuara në ndërtimin e anijeve, duke përfshirë mjete ushtarake, anije tregtare dhe megajahtet luksoze, çka e bën këtë partneritet një mundësi të rëndësishme për transferimin e teknologjisë dhe ekspertizës në vend.
Ky bashkëpunim shihet gjithashtu si një tregues i forcimit të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe një hap konkret drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Shqipëri dhe rritjes së rolit të saj në rajon.







