×
Tuesday, April 28, 2026

Shqipëria përballë testit të MONEYVAL, Albana Koçiu: Rritje investimesh dhe goditje më e fortë ndaj pastrimit të parave

April 28, 2026


Shqipëria mirëpriti gjatë dy javëve të fundit misionin vlerësues të MONEYVAL, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Përmes një videomesazhi, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu e cilësoi këtë proces si një moment kyç për të reflektuar progresin e arritur dhe për të konfirmuar drejtimin e reformave.

Ajo theksoi se dalja nga lista gri e FATF në vitin 2023 ishte një hap i rëndësishëm, duke e veçuar Shqipërinë nga vende të tjera që vijojnë të jenë pjesë e saj.

Sipas Koçiut, përmirësimi i treguesve ekonomikë dhe financiarë ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit dhe investimeve, veçanërisht në sistemin bankar, duke e forcuar pozicionin e vendit si partner i besueshëm ndërkombëtar.

Një ndër prioritetet kryesore mbetet reduktimi i përdorimit të parasë fizike dhe kalimi drejt një ekonomie më të digjitalizuar dhe të gjurmueshme. Të dhënat e fundit tregojnë një rritje prej 30% të transaksioneve online dhe 25% të transaksioneve në euro vetëm në fillim të këtij viti.

Gjithashtu, gjatë vitit të kaluar është shënuar një rritje prej 13% e kreditimit të ekonomisë dhe mbi 1.5 miliardë euro investime të huaja direkte, një rekord historik për vendin.

Autoritetet raportojnë edhe trefishim të rasteve të bllokimit dhe sekuestrimit të aseteve me origjinë të dyshimtë, duke treguar një qasje më agresive ndaj aktiviteteve të paligjshme financiare.

Në përfundim, Albana Koçiu nënvizoi se qeveria do të vijojë reformat, duke u fokusuar në forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, për të rritur efektivitetin në luftën kundër pastrimit të parave.




Comments are closed.