Tensionet në Lindjen e Mesme- Italia dënon Teheranin por Civilët s’duhet të paguajnë
Qeveria italiane ka mbajtur një qëndrim të prerë dhe të balancuar lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme. Përmes një deklarate zyrtare nga Palazzo Chigi, Roma ka dënuar ashpër sjelljen destabilizuese të regjimit iranian, por ka vendosur një vijë të kuqe sa i përket mbrojtjes së popullsisë civile.
Italia i bashkohet shqetësimit ndërkombëtar, duke kërkuar që çdo aksion ushtarak të bëjë dallimin e qartë mes përgjegjësve politikë dhe qytetarëve të thjeshtë.
Deklarata e qeverisë italiane rendit një sërë pikash ku sjellja e Iranit vlerësohet si kërcënim i hapur për sigurinë globale si kërcënimi i vazhdueshëm ndaj vendeve të Gjirit; kompromentimi i lirisë së lundrimit në këtë arterie jetësore për ekonominë botërore; dhuna sistematike dhe brutale që regjimi ushtron ndaj popullit të vet.
Pavarësisht kritikave ndaj Teheranit, Italia ka shprehur mospajtimin e saj me çdo strategji ushtarakë që nuk bën dallim mes objektivave strategjikë dhe atyre civilë.
“Popullsia civile iraniane nuk mund dhe nuk duhet të paguajë çmimin për mëkatet e udhëheqësve të saj,” thuhet në deklaratën e Palazzo Chigi-t.
Qeveria italiane theksoi se po monitoron me vëmendje maksimale rrezikun e një përshkallëzimi që mund të përfshijë të gjithë territorin iranian pa dallim. Roma zyrtare u rreshtua krah institucioneve të Bashkimit Evropian, duke bërë thirrje për ruajtjen e integritetit të infrastrukturës civile; garantimin e sigurisë së popullsisë iraniane; arritjen e një zgjidhjeje të negociuar për krizën në vend të forcës ushtarake asgjësuese.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik, kur presioni ndërkombëtar mbi Iranin është rritur, por frika për një katastrofë humanitare po detyron aleatët evropianë të kërkojnë vetëpërmbajtje nga administrata amerikane.







