Rama: Partneriteti strategjik me Italinë konkretizohet me kantiere të mëdha bashkëpunimi
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot partneritetin strategjik me Italinë, i cili tani shoqërohet nga kantiere të mëdha bashkëpunimi.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, pas zhvillimit të mbledhjes së parë të përbashkët mes dy qeverive në Romë, Rama e cilësoi këtë një ditë historike.
“Për herë të parë qeveria shqiptare ulet me qeverinë italiane për të folur për projekte dhe të një të ardhme të përbashkët, por edhe për të bërë një bilanc të gjërave që janë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sot u nënshkruan marrëveshje për projekte konkrete.
“Në të gjitha ditët që kam drejtuar qeverinë e Shqipërisë nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim mbi qëllimet e mira, dashurinë dhe dëshirën për të bërë më shumë nga ana e të gjitha qeverive të Italisë. Por me këtë qeveri dëshira për të bërë më shumë është realizuar dhe ne jemi vërtetë shumë mirënjohës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se falë angazhimit vëllazëror të ministrit të Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto sot ne jemi në gjendje të projektojmë në disa drejtime konkretisht për të fuqizuar aftësitë tona të mbrojtjes, por edhe aftësitë mbrojtëse të përbashkëta.
“Falënderoj ministrin Corsseto dhe ministrin Tajani i cili si europeist i vërtetë dhe ministër i Jashtëm ka qenë gjithmonë një mik i Shqipërisë. Ai po na mbështet në të gjitha selitë tona dhe po e bën këtë jo vetëm në rrugën diplomatike, por edhe në aspektin ekonomik e të projekteve të përbashkëta”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi kontributin e tij në projektin e Korridorit VIII, që është strategjik për Europën, NATO-n, tregtinë dhe mbrojtjen.
“Më në fund ka nisur me një ritëm të përshpejtuar dhe kjo është meritë e Tajanit që uli në tryezë të gjithë aktorët dhe po e ndjek këtë projekt personalisht”, tha Rama.
Po ashtu, Rama tha se falë kujdesit të veçantë personal të Kryeministres italiane, sot të gjithë shqiptarët që kanë punuar në Itali duke paguar sigurime kanë më në fund të drejtën për pensione.







