Të dërguarit e Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvilluar bisedime me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev, ndërsa administrata amerikane po intensifikon përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Takimi në kryeqytetin ukrainas vjen menjëherë pas vizitës së Witkoff dhe Kushner në Moskë, ku zhvilluan rreth tre orë bisedime me Presidentin rus Vladimir Putin. Pavarësisht kontakteve të gjata, nga takimi me liderin rus nuk u njoftua ndonjë përparim domethënës drejt arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Pas bisedimeve në Kiev, Kushner deklaroi se delegacioni amerikan pret përparim të mëtejshëm në negociatat që synojnë përfundimin e luftës.
Witkoff u shpreh gjithashtu optimist për kontaktet me palën ukrainase, duke deklaruar se ekipi amerikan ishte “shumë i inkurajuar” nga ajo që ai e përshkroi si një diskutim shumë të rëndësishëm.
Zelensky i priti dy të dërguarit amerikanë në Katedralen e Shën Sofisë, në qendër të Kievit. Takimi u zhvillua pranë zonës ku kishte rënë një dron rus të premten, i cili, sipas palës ukrainase, kishte në shënjestër zyrat e shërbimeve të sigurisë.
Përpara bisedimeve, Presidenti ukrainas kishte deklaruar se vendi i tij ishte “i gatshëm ta afronte fundin e luftës”, duke sinjalizuar gatishmërinë e Kievit për të vazhduar kontaktet diplomatike të ndërmjetësuara nga Washingtoni.
Vizitat e njëpasnjëshme të Witkoff dhe Kushner në Moskë dhe Kiev janë pjesë e përpjekjes së re të administratës Trump për të afruar qëndrimet e dy palëve.
Raundet e mëparshme të negociatave të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara janë nxitur nga Trump, i cili gjatë fushatës elektorale kishte premtuar se do të punonte për përfundimin e shpejtë të luftës.
Presidenti amerikan la të kuptohej të premten se Washingtoni kishte përgatitur një propozim të ri për zgjidhjen e konfliktit, por nuk dha hollësi mbi përmbajtjen e tij.
Nga pala ruse, këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, e cilësoi takimin me delegacionin amerikan si “jashtëzakonisht të dobishëm”, pavarësisht se nuk u njoftua ndonjë marrëveshje konkrete.
Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters se hapat e ardhshëm të procesit diplomatik pritet të bëhen të ditur gjatë javëve të ardhshme, ndërsa Washingtoni vazhdon përpjekjet për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës.


