Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të zgjerojë sulmet ushtarake ndaj Iranit, duke kërcënuar se në shënjestër do të vendosen edhe hidrocentralet dhe urat, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave.
Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se SHBA-ja do ta godasë Iranin “shumë fort” gjatë ditëve në vijim.
“Do të vazhdojnë derisa unë të them se mjafton”, u shpreh presidenti amerikan, duke paralajmëruar se javën e ardhshme objektiva të reja mund të jenë infrastruktura civile, përfshirë hidrocentralet dhe urat.
Trump kishte bërë paralajmërime të ngjashme edhe në muajin prill, kur deklaroi se infrastruktura strategjike e Iranit mund të shkatërrohej brenda pak orësh për të ushtruar presion mbi Teheranin që të rihapte Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për transportin botëror të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se ka nisur një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane dhe ka rifilluar bllokadën detare të porteve dhe zonave bregdetare të Iranit.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), operacioni zgjati rreth shtatë orë dhe goditi dhjetëra objektiva ushtarake, përfshirë pozicione raketash dhe sisteme të mbrojtjes ajrore pranë Ngushticës së Hormuzit dhe përgjatë vijës bregdetare iraniane.
Sipas Uashingtonit, sulmet synojnë të pengojnë veprimet e Iranit kundër anijeve tregtare në këtë rrugë strategjike detare.
Ushtria amerikane akuzoi gjithashtu Iranin se gjatë javës së fundit ka sulmuar qëllimisht shtatë anije tregtare, duke bërë të ditur se rreth 12 anëtarë ekuipazhesh janë vrarë, plagosur ose rezultojnë të zhdukur.
Javën e kaluar, Trump deklaroi se armëpushimi me Iranin, i cili ishte në fuqi që nga prilli, kishte marrë fund dhe paralajmëroi një fazë të re operacionesh ushtarake kundër Republikës Islamike.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën fushatën ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje të re mes Uashingtonit dhe Teheranit u ndërprenë pas përshkallëzimit të fundit të konfliktit.


