Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka deklaruar se, sipas tij, “fundi i regjimit” në Iran është afër, ndërsa ka paralajmëruar Teheranin për një përgjigje të fuqishme nëse ndërmerr një sulm ndaj Izraelit.
Deklaratat u bënë gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar izraelit, ndërsa Zyra e Kryeministrit publikoi të dielën në platformën “X” një fragment nga fjalimi i Netanjahut.
“Regjimi në Iran, fundi i tij është afër”, deklaroi kryeministri izraelit.
Sipas fragmentit të publikuar, Netanjahu pretendoi gjithashtu se Irani aktualisht po “përmbahet” nga ndërmarrja e një sulmi ndaj Izraelit.
Ai paralajmëroi se nëse Teherani vendos të ndryshojë qëndrim dhe të sulmojë, reagimi izraelit do të ishte shumë i rëndë.
“Nëse bën gabimin të na sulmojë, do të marrë një goditje që nuk mund ta imagjinojë as”, deklaroi Netanjahu.
Deklaratat e kryeministrit izraelit vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa dy vendet kanë shkëmbyer kërcënime dhe përplasjet në rajon kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm.
Me deklaratat e fundit, Netanjahu sinjalizoi se Izraeli është i përgatitur të përgjigjet ushtarakisht nëse Teherani ndërmerr sulme ndaj vendit, ndërsa pretendimi i tij për afrimin e “fundit të regjimit” iranian shënon një tjetër ashpërsim të retorikës ndaj Teheranit.


