Borxhi i SHBA-së arrin rekordin historik prej 40 trilionë dollarësh, rritet alarmi për ekonominë

20 Aug 2026 08:41
Shpërndaje:

Borxhi federal i Shteteve të Bashkuara ka arritur për herë të parë në 40 trilionë dollarë, duke shënuar një rekord historik dhe duke shtuar shqetësimet për qëndrueshmërinë e financave amerikane.

Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Thesarit, vetëm gjatë pesë muajve të fundit borxhi është rritur me rreth 1 trilion dollarë. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ritmi aktual vazhdon, ai mund të arrijë në 50 trilionë dollarë brenda gjashtë viteve.

Rritja e borxhit lidhet me deficitet e vazhdueshme buxhetore, kostot e programeve sociale, uljet e taksave dhe rritjen e shpenzimeve federale. Në 10 muajt e parë të vitit fiskal, deficiti amerikan ka arritur në rreth 1.8 trilionë dollarë.

Reklamë Ola

Një tjetër shqetësim është kostoja e shërbimit të borxhit. Pagesat e interesave pritet të kalojnë 1 trilion dollarë këtë vit dhe janë më shumë se trefishuar gjatë pesë viteve të fundit. SHBA po shpenzon tashmë më shumë për interesat e borxhit sesa për mbrojtjen kombëtare.

Pasojat po reflektohen edhe në tregjet financiare. Yield-et e obligacioneve afatgjata amerikane janë rritur ndjeshëm, ndërsa investitorët kërkojnë kthime më të larta për të mbajtur borxhin e SHBA-së. Kjo mund të ndikojë edhe te qytetarët, pasi yield-i i obligacioneve 10-vjeçare lidhet ngushtë me kostot e hipotekave, kredive për automjete dhe huave për bizneset.

Reklamë InterMedika

Situata është bërë më shqetësuese edhe pas vendimit të Moody’s në vitin 2025 për t’i hequr SHBA-së vlerësimin e fundit maksimal të kreditit.

Ekspertët paralajmërojnë se sfida kryesore për Uashingtonin tashmë është frenimi i rritjes së borxhit pa dëmtuar ekonominë dhe pa cenuar financimin e programeve kryesore sociale.