Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar këtë të martë shkarkimin e Evis Salës nga detyra e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke i hapur rrugën ndryshimit në drejtimin e këtij dikasteri.
Në të njëjtën ditë, kreu i shtetit ka dekretuar Klodiana Spahiun si ministre të re të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Ndryshimi vjen pasi Evis Sala kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në shtator të vitit 2025, kur u dekretua përbërja e kabinetit qeveritar.
Me dekretimin nga Presidenti, i hapet rruga vijimit të procedurave kushtetuese për marrjen e detyrës nga Klodiana Spahiu.
Spahiu pritet të betohet në kuadër të procedurave për marrjen e postit të ri, ndërsa ndryshimi i saj në ekzekutiv lë vakant edhe funksionin që ajo mbante më parë në Kuvend.
Për këtë arsye, mazhoranca pritet të propozojë një emër të ri për postin e nënkryetarit të Kuvendit, të mbajtur deri tani nga Klodiana Spahiu.
Dekretet për ndryshimin në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë vijnë në ditën kur Kuvendi rikthehet në aktivitet pas pushimeve verore dhe çel sesionin e ri parlamentar.


