Serbia ishte mes gjashtë vendeve që abstenuan gjatë votimit në OKB për përdorimin e një harte të re të botës, e cila synon të paraqesë më saktë përmasat reale të Afrikës. Shkak për qëndrimin e Beogradit është bërë mënyra se si Kosova paraqitet në hartën e re.
Sipas të dhënave të publikuara, rezoluta mori mbështetjen e 164 shteteve, ndërsa Shtetet e Bashkuara votuan kundër dhe gjashtë vende abstenuan.
Harta përdor projeksionin “Equal Earth”, i cili synon të shmangë shtrembërimet e mëdha të sipërfaqeve të kontinenteve që shfaqen në disa prej projeksioneve tradicionale. Në këtë hartë, Kosova paraqitet veçmas nga Serbia, si shtet i pavarur dhe sovran.
Ministria e Jashtme e Serbisë konfirmoi në një përgjigje me shkrim për BBC në serbisht se pikërisht paraqitja e Kosovës ishte arsyeja pse Beogradi nuk e mbështeti rezolutën.
“Rezoluta e propozuar përmirëson një padrejtësi historike, por përdor projeksionin Equal Earth, që e paraqet Kosovën si shtet më vete. Kjo shkon në kundërshtim me rendin tonë kushtetues dhe interesat kombëtare dhe nuk mund të përkrahet as indirekt”, deklaroi Ministria e Jashtme serbe.
Sipas Beogradit, një votë në favor të propozimit mund të interpretohej si ndryshim i qëndrimit të Serbisë ndaj statusit të Kosovës.
“Përkrahja e një propozimi të tillë mund të keqpërdoret apo interpretohet si mbështetje për pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, argumentoi ministria.
Propozimi për rezolutën u paraqit nga Togo. Shteti afrikan e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2014, ndërsa Serbia pretendon se Togo e tërhoqi njohjen në vitin 2019.
Miratimi i hartës së re në OKB synon në radhë të parë të korrigjojë mënyrën se si paraqiten përmasat e Afrikës në hartat tradicionale të botës, por për Serbinë çështja e paraqitjes së Kosovës e ktheu votimin edhe në një çështje politike dhe diplomatike.


