Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot në orën 11:00 një takim me të deleguarit politikë dhe deputetët e Partisë Socialiste të qarkut të Tiranës.
Mbledhja vjen vetëm një ditë pas takimit që Rama zhvilloi në një prej vilave qeveritare në kryeqytet me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat, ku në qendër të diskutimeve ishte zbatimi në terren i dokumentit “Besa” dhe konceptit të “Pranisë Besnike”.
Në takimin e djeshëm, kryeministri dhe njëherësh kreu i Partisë Socialiste u kërkoi drejtuesve politikë të rrisin praninë në zonat e tyre elektorale dhe të forcojnë kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët.
Rama kërkoi që drejtuesit politikë, në bashkëpunim me strukturat lokale të PS-së, deputetët dhe kryetarët e bashkive, të hartojnë një axhendë të organizuar takimesh në terren.
Synimi është evidentimi i problematikave dhe shqetësimeve të qytetarëve, si në nivel individual, ashtu edhe i çështjeve të përbashkëta që prekin komunitetet.
Takimi i sotëm me përfaqësuesit politikë të qarkut të Tiranës pritet të vijojë në të njëjtën linjë, me fokus organizimin në terren dhe zbatimin konkret të prioriteteve të përcaktuara nga Rama për strukturat socialiste.


