Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit e PS-së në Pogradec: Fokusi te qytetarët dhe rikthimi i besimit

25 Aug 2026 13:59
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka ndarë momente nga takimi i zgjeruar dyditor i zhvilluar në Pogradec me ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe, ku në fokus ishte forcimi i marrëdhënies mes institucioneve dhe qytetarëve.

Gjatë mbledhjes u diskutuan pikat kryesore të platformës strategjike “Besa”, dokumenti “Prania Besnike” dhe platforma “Pasqyra Albania”, të cilat synojnë rritjen e ndërveprimit me qytetarët dhe adresimin më të shpejtë të problematikave të tyre.

“Ndjesia e mirë e një sezoni politik me energji të reja dhe të tjerë hapa vendimtarë drejt Shqipëri 2030, ku rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit do të jetë domethënëse, buron edhe nga fakti i angazhimit e reflektimit serioz që mori formë në dy ditët e maratonës së Pogradecit”, u shpreh Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri kërkoi një rol më aktiv të drejtuesve politikë në qarqe dhe të ministrave në monitorimin e punës së institucioneve dhe problematikave në territor.

“Fiksimi ynë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari, prandaj drejtuesve politikë duhet t’u japim fuqi që ta ndjekin territorin aty dhe ministrave do të duhet t’u japim detyrimin që çdo muaj të ndjekin vetë personalisht gjithë drejtoritë”, tha Rama.

Reklamë InterMedika

Gjatë diskutimeve, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, propozoi ngritjen e një “Njësie Besa” në secilën ministri, ndërsa ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vlerësoi se dokumenti synon t’u japë përgjegjësi konkrete shqetësimeve që artikulohen publikisht.

Deputeti Erion Malaj e cilësoi si sfidë kryesore kthimin e dëgjimit të qytetarëve në vendimmarrje dhe rezultate konkrete, ndërsa Eduard Shalsi e konsideroi emërtimin “Besa” një gjetje “shumë të fortë”.

Në të njëjtën linjë, Fatmir Xhafaj kërkoi krijimin e një sistemi të dyfishtë besueshmërie në marrëdhënien qeveri-qytetar, ndërsa Milva Ekonomi e përshkroi qasjen si një “kulturë të re” në qeverisje.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se besimi ndërtohet “përmes të vërtetave dhe fakteve, pra përmes punës”, ndërsa Ogerta Manastirliu vuri theksin te nevoja për të njohur nga afër problemet e familjeve, bizneseve, profesionistëve dhe pensionistëve.

Arbjan Mazniku paralajmëroi për rrezikun e “erozionit të besimit” pas një periudhe të gjatë qeverisjeje, ndërsa Bledi Çuçi tha se nisma “Besa” reflekton një kërkesë që ka ardhur nga vetë shoqëria.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, evidentoi si një prej problemeve kryesore tendencën për të mos ndëshkuar mungesën e performancës në administratë.

Takimi dyditor në Pogradec synon të përcaktojë qasjen politike dhe qeverisëse për fazën e ardhshme të mandatit, me fokus të veçantë te performanca e institucioneve, marrëdhënia me qytetarët dhe forcimi i besimit te administrata shtetërore.