SHBA paralajmëron “fazën e fundit” ndaj Iranit, Bessent: Po vjen ofensiva më e madhe financiare

24 Aug 2026 09:18
Shpërndaje:

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar një përshkallëzim të fortë të presionit ekonomik ndaj Iranit, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara po hyjnë në atë që ai e cilësoi si “fazën e fundit të lojës”.

Në një artikull të publikuar në “Financial Times”, Bessent paralajmëroi se për Teheranin po afron një “Ditë-D ekonomike”, të cilën e përshkroi si “ofensivën më të madhe financiare” të ndërmarrë ndonjëherë kundër një kundërshtari.

Sipas sekretarit amerikan të Thesarit, synimi i Uashingtonit është të godasë linjat ekonomike që mbështesin regjimin iranian dhe të kufizojë në maksimum burimet e financimit që Teherani siguron nga jashtë.

Reklamë Ola

Në shënjestër të masave pritet të jenë jo vetëm strukturat iraniane, por edhe vendet, kompanitë dhe institucionet financiare që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin.

Bessent akuzoi ata që i quajti “mundësuesit e Iranit” se blejnë dhe transportojnë naftën iraniane, ndihmojnë transferimin e karburanteve përmes rrugëve detare dhe lejojnë përdorimin e sistemeve të tyre bankare për transaksione që Uashingtoni i konsideron të paligjshme.

Reklamë InterMedika

Ai paralajmëroi se vazhdimi i këtij bashkëpunimi do të ketë “pasoja”, ndërsa detajet e masave të reja pritet të bëhen të ditura nga administrata amerikane.

Deklaratat e Bessent vijnë vetëm pak ditë pasi presidenti Donald Trump paralajmëroi gjithashtu një “Ditë-D ekonomike” kundër Iranit dhe kërcënoi me “pasoja të jashtëzakonshme ekonomike” vendet që vazhdojnë të bëjnë biznes me Teheranin.

Administrata Trump synon që përmes rritjes së presionit ekonomik ta detyrojë Iranin të rikthehet në tryezën e negociatave.

Bessent paralajmëroi gjithashtu Teheranin kundër një përgjigjeje ushtarake ndaj masave ekonomike amerikane. Sipas tij, nëse Irani zgjedh rrugën e përshkallëzimit ushtarak, Trump do të përgjigjet “shpejt dhe me vendosmëri”.

Më shumë detaje mbi ofensivën e paralajmëruar ekonomike pritet të bëhen publike gjatë konferencës së Bessent, ku administrata amerikane mund të prezantojë paketën e re të masave kundër Iranit.