Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Iranin për një paketë të re masive sanksionesh ekonomike, të cilën administrata amerikane e përshkruan si “ofensivën më të madhe financiare të mobilizuar ndonjëherë” kundër një kundërshtari.
Masat e reja pritet të bëhen publike të hënën nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe do të synojnë jo vetëm Teheranin, por edhe vendet dhe subjektet që vazhdojnë marrëdhëniet tregtare dhe financiare me Iranin.
Në një opinion të publikuar në “Financial Times”, Bessent e cilësoi nisjen e masave si një “Ditë D ekonomike”, duke paralajmëruar gjithashtu partnerët e Iranit për pasojat e vazhdimit të bashkëpunimit me Teheranin.
Përgjigjja iraniane ka qenë e menjëhershme. Mohsen Rezaei, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, paralajmëroi se Irani mund të ndërpresë eksportet e naftës nga Gjiri Persik nëse Uashingtoni vazhdon atë që Teherani e konsideron “luftë ekonomike”.
“Nëse lufta ekonomike vazhdon, asnjë pikë nafte nuk do të eksportohet, as përmes Ngushticës së Hormuzit dhe as nga ndonjë pikë tjetër e Gjirit Persik”, deklaroi Rezaei.
Ai paralajmëroi gjithashtu se mbështetja e vendeve të tjera për ofensivën ekonomike amerikane mund të konsiderohet nga Teherani si “akt lufte”.
Kërcënimet rrisin shqetësimet për Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për furnizimin global me energji. Irani vazhdon të zotërojë kapacitete raketore dhe dronësh që mund të kërcënojnë vendet e Gjirit dhe transportin detar në zonë.
Tensionet kanë ushtruar tashmë presion mbi tregjet ndërkombëtare të energjisë, ndërsa çmimi i naftës Brent u rrit me rreth 6% gjatë javës së kaluar.
Përshkallëzimi ekonomik vjen pas muajsh konflikti dhe sulmesh amerikane e izraelite kundër Iranit. Që prej nisjes së sulmeve më 28 shkurt, mijëra persona janë vrarë, kryesisht në Iran dhe Liban, ndërsa infrastruktura dhe kapacitetet ushtarake iraniane kanë pësuar dëme të konsiderueshme.
Ekonomia iraniane, e cila edhe më parë përballej me pasoja të rënda nga sanksionet ndërkombëtare, është goditur më tej nga inflacioni, zhvlerësimi i monedhës, mungesat energjetike, dëmtimi i infrastrukturës dhe ndërprerjet e tregtisë dhe prodhimit.
Uashingtoni ka kërkuar gjithashtu bashkëpunimin e Kinës, e cila siguron një pjesë të konsiderueshme të importeve të saj të naftës nga rajoni i Gjirit. Pekini ka kundërshtuar politikën e presionit, duke deklaruar se “sanksionet dhe presioni nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit” dhe duke bërë thirrje për rikthimin te diplomacia.
Ndërkohë, përpjekjet ndërmjetësuese vazhdojnë. Katari, Pakistani dhe Turqia kanë tentuar të krijojnë kushtet për rifillimin e dialogut mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi negociatat e fundit të drejtpërdrejta mes palëve u zhvilluan në qershor në Zvicër.
Në këtë kuadër, shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, pritet të vizitojë Teheranin të hënën. Në fokus të bisedimeve pritet të jenë situata e sigurisë në rajon, mundësia e rikthimit të diplomacisë dhe paketa e re e sanksioneve amerikane.


