Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë mes 30 mijë dhe 50 mijë trupa shtesë në territorin rus, duke paralajmëruar për thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Phenianit dhe Moskës.
Në një intervistë për median ukrainase United News, Zelensky tha se regjimi i Kim Jong Un po e shfrytëzon luftën në Ukrainë për të fituar përvojë në luftën moderne, gjë që, sipas tij, mund të përbëjë një kërcënim serioz për sigurinë edhe në rajonin e Azisë.
Sipas presidentit ukrainas, ushtarët koreano-veriorë janë përfshirë më parë në operacionet ushtarake në mbështetje të forcave ruse, ndërsa tani pritet një zgjerim i konsiderueshëm i këtij angazhimi.
“Është absolutisht e qartë se Koreja e Veriut do të vazhdojë të ndërtojë përvojën e saj në luftën moderne, të marrë licenca nga Rusia dhe të përfitojë lloje të ndryshme të teknologjisë dhe mjeteve ushtarake”, deklaroi Zelensky.
Ai pretendoi gjithashtu se forcat ukrainase kanë gjetur në territorin e Ukrainës raketa të prodhuara në Korenë e Veriut, duke e cilësuar këtë si një fakt tashmë të dokumentuar që dëshmon mbështetjen ushtarake të Phenianit për Moskën.
Sipas Zelenskyt, bashkëpunimi në rritje mes Rusisë dhe Koresë së Veriut nuk kufizohet vetëm te dërgimi i trupave, por përfshin edhe transferimin e teknologjisë ushtarake dhe shkëmbimin e përvojës luftarake, çka mund të rrisë kapacitetet ushtarake të Phenianit.
Presidenti ukrainas paralajmëroi se zhvillime të tilla mund të kenë pasoja të gjera për sigurinë ndërkombëtare, veçanërisht për vendet e Azisë Lindore, pasi Koreja e Veriut mund të përfitojë nga përvoja e fituar në fushën e betejës dhe nga teknologjitë e avancuara ruse.
Në këtë kontekst, Zelensky i bëri thirrje Koresë së Jugut të thellojë bashkëpunimin me Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore dhe të sigurisë, përballë rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes Moskës dhe Phenianit.


