Sistemi i ri biometrik i Bashkimit Evropian për kontrollin kufitar po shkakton vonesa të gjata për udhëtarët gjatë sezonit veror, duke detyruar disa nga aeroportet më të mëdha evropiane të çaktivizojnë përkohësisht kontrollet biometrike për të shmangur kaosin në terminale.
Praktika, e lejuar nga rregulloret e BE-së në raste të jashtëzakonshme, nuk ishte pjesë e planit fillestar kur Sistemi i Hyrje-Daljes (Entry/Exit System – EES) u zbatua gradualisht në tetor dhe hyri plotësisht në fuqi më 10 prill.
Sipas kompanisë Air France-KLM, kontrollet biometrike pezullohen kur krijohen radhë të gjata gjatë muajve të verës në aeroportet e Parisit dhe Amsterdamit, me qëllim garantimin e një fluksi normal të pasagjerëve.
Drejtues të linjave ajrore, autoriteteve kufitare dhe aeroporteve konfirmuan se e njëjta praktikë po zbatohet edhe në qendra të tjera të rëndësishme evropiane, përfshirë Frankfurtin, Brukselin dhe Milanon.
Sistemi EES zbatohet për qytetarët që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe hyjnë në zonën Shengen me 29 vende anëtare. Në vend të vulosjes së pasaportës, udhëtarët duhet të regjistrojnë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë në kioska biometrike. Të dhënat ruhen për tre vjet dhe synojnë të ndihmojnë autoritetet në identifikimin e personave që tejkalojnë afatin e lejuar të qëndrimit.
Komisioni Evropian mbrojti sistemin, duke theksuar se ai rrit sigurinë në kufijtë e BE-së dhe ndihmon në zbulimin e rasteve të mashtrimit me identitetin që më parë mund të kalonin pa u zbuluar.
Megjithatë, në destinacionet me fluks të lartë turistësh, zbatimi i procedurave të reja ka sjellë pritje që zgjasin me orë të tëra. Drejtori ekzekutiv i Lufthansa-s, Carsten Spohr, deklaroi se shumë pasagjerë kanë humbur fluturimet lidhëse për shkak të vonesave të shkaktuara nga sistemi i ri.
Përballë presionit të industrisë së udhëtimeve, Komisioni Evropian lejoi një përjashtim të përkohshëm deri më 6 shtator, duke u dhënë autoriteteve kufitare mundësinë të pezullojnë regjistrimin biometrik gjatë periudhave me fluks të jashtëzakonshëm udhëtarësh. Ky përjashtim vlen jo vetëm për aeroportet, por edhe për portet, pikat kufitare rrugore dhe terminalet hekurudhore.
Megjithëse regjistrimi biometrik mund të pezullohet, autoritetet theksojnë se kontrollet kufitare vazhdojnë dhe të dhënat kryesore të dokumenteve të udhëtimit regjistrohen në sistem, duke garantuar sipas tyre sigurinë e kufijve.
Një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e personelit. Në aeroportin Malpensa të Milanos, ekipet e kontrollit kufitar përbëhen nga rreth 35 punonjës, por autoritetet italiane vlerësojnë se gjatë orëve të pikut nevojiten të paktën 10 deri në 15 punonjës shtesë për të shmangur vonesat.
Probleme janë regjistruar edhe në Bruksel, ku pezullimi i përkohshëm i kontrolleve biometrike kishte nisur që në pranverë, pasi mbi 600 pasagjerë humbën fluturimet brenda vetëm 21 orëve për shkak të radhëve të gjata.
Për këtë arsye, tetë vende të Bashkimit Evropian, së bashku me Zvicrën, kanë kërkuar që përjashtimi për pezullimin e kontrolleve biometrike të zgjatet edhe pas 6 shtatorit, duke argumentuar se zbatimi i plotë i procedurave me kapacitetet aktuale mund të krijojë probleme serioze të rendit publik në pikat kufitare.
Ndërkohë, Komisioni Evropian po përgatitet edhe për fazën e ardhshme të dixhitalizimit të kontrolleve kufitare. Sistemi ETIAS, i ngjashëm me autorizimet elektronike të udhëtimit në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, do t’u kërkojë qytetarëve nga 59 vende që udhëtojnë pa vizë të regjistrohen paraprakisht online, t’i nënshtrohen një kontrolli sigurie dhe të paguajnë një tarifë të vogël përpara hyrjes në zonën Shengen. Nisja e ETIAS, e planifikuar fillimisht për vitin 2021, është shtyrë tashmë për vitin 2027.


