Kosova dhe Franca kanë nënshkruar pesë marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë të ministrit francez për Evropën, Benjamin Haddad.
Ceremonia u zhvillua në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku ministri në detyrë Glauk Konjufca priti homologun e tij francez.
Marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë themelimin e Komunitetit Kosovaro-Francez për mbështetjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, bashkëpunimin për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështje penale, ekstradimin, si dhe një marrëveshje kredie mes Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për projektet që lidhen me Lojërat Mesdhetare.
Pas nënshkrimit, Konjufca e cilësoi Francën një partner strategjik të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke theksuar se mbështetja franceze për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 i jep projektit “një dimension të ri”.
Ai tha se gjatë takimit u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon, duke kritikuar retorikën e Serbisë për luftërat e viteve ’90.
“Retorikat që justifikojnë ose relativizojnë krimet e viteve të ’90-ta janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në Evropën demokratike”, deklaroi Konjufca.
Ministri në detyrë shprehu gjithashtu solidaritetin e Kosovës me Francën për zjarret e mëdha pranë Bordosë, duke ofruar gatishmëri për ndihmë.
Nga ana e tij, ministri francez Benjamin Haddad vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i cilësuar ato të qëndrueshme dhe në zhvillim.
“Jam shumë i kënaqur që nënshkruam pesë marrëveshje konkrete, të cilat krijojnë bazat për një bashkëpunim afatgjatë mes Francës dhe Kosovës”, u shpreh ai.
Haddad bëri të ditur se në Kosovë e shoqëron edhe një delegacion biznesesh franceze, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik.
Ai njoftoi gjithashtu se një nga marrëveshjet parashikon një kredi prej 60 milionë eurosh nga Franca për rikonstruksionin e Konviktit të Studentëve, i cili do të shërbejë për akomodimin e sportistëve gjatë Lojërave Mesdhetare 2030.


