Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë këtë të enjte, në orën 10:00, seancën e radhës plenare, me një rend dite prej 24 pikash, ku në fokus do të jenë interpelanca me ministrin e Financave, Petrit Malaj, shqyrtimi i disa projektligjeve dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Një nga çështjet që pritet të ngjallë më shumë debat është interpelanca e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Pas interpelancës, deputetët do të shqyrtojnë një paketë projektligjesh që prekin sektorë të ndryshëm, me theks të veçantë te bujqësia. Në rendin e ditës përfshihen projektligje për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore, censin e bujqësisë, mbrojtjen e tokës bujqësore dhe akuakulturën, si dhe ndryshime në ligjin për menaxhimin e kimikateve dhe ligjin për librin.
Një tjetër pikë e rëndësishme e seancës është ratifikimi i marrëveshjes së huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu marrëveshjen e bashkëpunimit teknik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si edhe ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil.
Në vijim të seancës, Kuvendi pritet të votojë edhe një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025. Mes tyre janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Banka e Shqipërisë, Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe Enti Rregullator i Ujit (ERRU).
Seanca plenare do të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku deputetët pritet të ngrenë problematika dhe shqetësime të ndryshme me interes publik.


