Rama: Nuk bëj “babën” e Kosovës, secili shtet ka institucionet dhe vendimmarrjen e vet
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi se Shqipëria respekton plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe nuk ndërhyn në vendimmarrjen e institucioneve të saj, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në respekt reciprok.
Deklaratat u bënë gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në aktivitetin “RinCamp 2026” në Jalë, ku Rama iu përgjigj një pyetjeje të një studenteje nga Shkupi mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Unë qysh në krye të herës e kam pasur vijën time të kuqe. Unë nuk bëj ‘babën’ e askujt që ka shtëpinë e vet. Kosova ka kryeministrin e vet, ka institucionet e veta dhe ka pasur një kohë përpara sesa unë të bëhesha kryeministër kur nga Tirana i tregohej Kosovës se çfarë duhej të bënte. Janë vite që kanë sjellë vetëm dëme,” u shpreh Rama.
Kryeministri tha se politika e jashtme shqiptare sot bazohet në respektimin e sovranitetit të vendeve fqinje dhe jo në ndërhyrje në çështjet e tyre të brendshme.
Duke folur për raportin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama u shpreh se mes tyre ekziston një marrëdhënie e mirë personale, por secili drejton shtetin e vet dhe ndjek politikat që i konsideron të përshtatshme.
“Për sa i përket Kosovës, ajo është një shtet tjetër. Nuk është një krahinë e Shqipërisë dhe nuk varet nga Shqipëria. Albinin e takoj gjithmonë me shumë kënaqësi, na ecën muhabeti shumë mirë dhe bëjmë shumë humor me njëri-tjetrin. Por nuk jemi në kushtet që unë t’i them ‘hajde këtu ti’. Kemi respekt reciprok. Secili ka shtetin e vet, qeverinë e vet dhe mendjen e vet. Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme. Jemi dy njerëz të ndryshëm dhe s’ka problem,” deklaroi Rama.







