×
Friday, July 10, 2026

Europa riarmatoset, por ende mbështetet te armët amerikane: Nis prodhimi i përbashkët i raketave në Gjermani

July 10, 2026


Europa po përshpejton përpjekjet për të forcuar mbrojtjen dhe për të ulur varësinë nga Shtetet e Bashkuara, megjithatë pajisjet ushtarake amerikane vazhdojnë të mbeten shtylla kryesore e riarmatosjes së kontinentit.

Gjatë samitit të NATO-s në Ankara, kompanitë amerikane siguruan kontrata të rëndësishme me aleatët evropianë, ndërsa Bashkimi Evropian hodhi hapa të rinj për zhvillimin e kapaciteteve të veta në industrinë e mbrojtjes.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme lidhet me sektorin e raketave. Kompanitë Lockheed Martin dhe Rheinmetall kanë arritur një marrëveshje për bashkëprodhimin e raketave ATACMS në Gjermani, me synimin për të rritur rezervat ushtarake evropiane pa cenuar kapacitetet prodhuese të industrisë amerikane.

Në fushën e mbrojtjes ajrore, sistemi amerikan Patriot mbetet elementi kryesor i mbrojtjes së shumë vendeve të NATO-s dhe luan një rol të rëndësishëm edhe në Ukrainë. Paralelisht, Evropa po investon në zhvillimin e alternativave të saj, si sistemi franko-italian SAMP/T NG për mbrojtjen me rreze të gjatë dhe sistemi gjerman IRIS-T për mbrojtjen me rreze të mesme. Qëllimi është krijimi i një mburoje ajrore më të pavarur evropiane në vitet e ardhshme.

Edhe në fushën e armëve me rreze të gjatë veprimi, kontinenti mbetet i varur nga teknologjia amerikane. Sipas Deutsche Welle, Gjermania planifikon të blejë raketa Tomahawk nga SHBA, ndërsa njëkohësisht synon të zhvillojë sisteme të veta me rreze veprimi deri në 2 mijë kilometra.

Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah edhe rëndësinë strategjike të dronëve. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian po punon për krijimin e një industrie të përbashkët të dronëve dhe sistemeve kundër tyre. Në këtë nismë është përfshirë edhe Ukraina, e cila sjell përvojën e fituar nga përdorimi intensiv i mjeteve ajrore pa pilot në fushën e betejës.

Strategjia e re synon që Europa të ndërtojë gradualisht një industri më të pavarur të mbrojtjes, duke ruajtur njëkohësisht bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në kuadër të NATO-s.




Comments are closed.