Tensionet SHBA-Iran rrisin pasigurinë në Ngushticën e Hormuzit, kompanitë detare lundrojnë me kujdes
Përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po rikthen shqetësimet për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe mallrave, me pasoja të mundshme për ekonominë globale.
Situata u përkeqësua pasi SHBA vijoi për të dytën ditë radhazi sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme raketore ndaj bazave amerikane në rajonin e Gjirit.
Kryetari i Parlamentit iranian dhe njëherazi shefi i negociatorëve iranianë, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të zhvillohet vetëm “sipas rregullave të vendosura nga Irani”, duke shtuar se “kur godet, duhet të presësh edhe që të goditesh”.
Pavarësisht retorikës së ashpër, trafiku detar nuk është ndërprerë. Anijet kanë vijuar kalimin nëpër Hormuz edhe gjatë ditës së djeshme, megjithëse operatorët detarë po veprojnë me kujdes të shtuar.
Bridget Diakun, analiste në Lloyd’s List Intelligence, deklaroi se disa anije po zgjedhin të kalojnë nëpër korridor “në errësirë”, duke çaktivizuar sistemet e transmetimit të pozicionit gjatë lundrimit për arsye sigurie.
Nga ana tjetër, Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) njoftuan se trafiku detar vijon në nivele të reduktuara. Anijet po përdorin si korridorin jugor pranë brigjeve të Omanit, ashtu edhe rrugën veriore pranë ujërave të kontrolluara nga Irani.
Sipas UKMTO-së, kompanitë e transportit detar po tregojnë kujdes të lartë në planifikimin e lundrimeve, ndërsa kalimet e shoqëruara nga forcat detare amerikane kanë vijuar pa ndërprerje gjatë kësaj jave.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë dhe çdo përshkallëzim i mëtejshëm në rajon mund të ndikojë në çmimet ndërkombëtare të naftës dhe stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit.







