×
Friday, June 12, 2026

Rama thirrje protestuesve të Zvërnecit: Ejani të shihni faktet, mos u bëni pjesë e manipulimeve

June 12, 2026


Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot protestuesve kundër projekteve të planifikuara në Zvërnec dhe Sazan, duke i ftuar të njihen me faktet dhe dokumentacionin zyrtar përpara se të krijojnë bindje mbi investimet e propozuara.

Në një deklaratë publike, Rama tha se do të ishte po aq i revoltuar sa protestuesit nëse pretendimet që qarkullojnë për projektet do të ishin të vërteta, por këmbënguli se realiteti është ndryshe.

“Po të ishin të vërteta ato që ju kanë mbushur në mendje, do të isha edhe unë po aq i neveritur sa disa prej jush. Por faktet tregojnë një realitet tjetër”, u shpreh ai.

Kryeministri i ftoi qytetarët e shqetësuar për mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetin dhe të ardhmen e zonës së Zvërnecit dhe Sazanit që të njihen me provat dhe dokumentet që, sipas tij, hedhin poshtë pretendimet e ngritura ndaj projekteve.

“Ejani t’i shikoni dhe dëgjoni faktet, të merrni provat dhe të ndiheni krenarë për mënyrën si institucionet tona kanë trajtuar procesin, qoftë për Sazanin, qoftë për aplikimet në Zvërnec”, deklaroi Rama.

Ai mohoi gjithashtu se projekti ka marrë statusin e investitorit strategjik, duke e cilësuar këtë si një nga pretendimet kryesore të pavërteta që po përdoren në debat.

“Ju kanë bindur me një gënjeshtër të madhe, të cilën e keni marrë si kalë beteje. Por me atë kalë nuk mund të bëhet betejë”, tha kryeministri.

Rama theksoi se nuk ka ndërmend të negociojë për programin e qeverisë apo vizionin e saj për zhvillimin e vendit, ndërsa shtoi se vendimet për fatin e projekteve do të varen vetëm nga cilësia e tyre dhe standardet që do të përmbushin.

“Fatin e Zvërnecit do ta vendosë vetëm cilësia e projektit dhe niveli i ambicies së investitorëve që do të paraqesin propozimet e tyre”, u shpreh ai.

Në fund të mesazhit, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë me ide dhe propozime konkrete për zhvillimin e vendit, duke theksuar se debati duhet të mbështetet te faktet dhe puna, jo te konfliktet politike.

“Me ide, jo me britma. Me propozime dhe punë, jo me selfie dhe përplasje. Me Shqipërinë në zemër dhe mendjen te puna”, përfundoi kryeministri.




Comments are closed.