×
Friday, June 12, 2026

Ismaili mbron projektin në Zvërnec: Vlora u zhvillua me investime, ndërsa flamingot u rikthyen me politika dhe fonde mbështetëse për mjedisin

June 11, 2026


Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili në fjalimin e saj në Kuvend deklaroi se protestat dhe shqetësimet qytetare duhen dëgjuar me seriozitet, por paralajmëroi se krahas qytetarëve të sinqertë veprojnë edhe grupe të ndryshme interesi që përpiqen të përfitojnë nga situata.
“Çështjet e ngritura, qoftë reale apo artificiale, kërkojnë të trajtohen me maturi, reflektim dhe përgjegjësi”, deklaroi ministrja.
Ismaili vlerësoi faktin që protestat janë zhvilluar paqësisht, duke e konsideruar këtë një tregues të pjekurisë demokratike të vendit. Ajo kujtoi se në të kaluarën protestat kanë përfunduar me viktima, ndërsa sot qytetarët ndihen të sigurt për të protestuar edhe me familjet e tyre.
Megjithatë, ministrja dënoi episodet e dhunës të ndodhura në Zvërnec, ku një protestues u dhunua nga rojet private të sigurisë, duke vlerësuar si të drejtë reagimin institucional që çoi në heqjen e licencave të kompanive private.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së saj iu kushtua debatit për mjedisin. Ismaili kundërshtoi pretendimet se zhvillimi po dëmton ekosistemin e Nartës dhe solli statistika që sipas saj tregojnë të kundërtën.
Ajo deklaroi se falë moratoriumit të gjuetisë, investimeve në ligatina dhe politikave të mbrojtjes së natyrës, flamingot dhe pelikanët janë rikthyer në numër të konsiderueshëm në lagunën e Nartës.
Sipas saj, në vitin 2021 u regjistrua numri më i lartë i flamingove në zonë me mbi 3 mijë individë, ndërsa në vitin 2025 u dokumentua për herë të parë folezimi i tyre në Shqipëri.
“Po, sot mund të themi se në lagunën e Nartës jetojnë e shumohen flamingo dhe pelikanë”, tha Ismaili.
Ministrja argumentoi se përmirësimi i biodiversitetit nuk është kufizuar vetëm te shpendët. Ajo përmendi rikthimin e specieve të rralla detare si foka mesdhetare, delfinët, breshkat detare dhe madje edhe praninë e balenave të rralla në ujërat pranë Karaburunit.
Në pjesën politike të fjalimit, Ismaili mbrojti investimet e kryera në Vlorë gjatë viteve të fundit. Ajo e krahasoi qytetin e sotëm me Vlorën e para vitit 2013, kur sipas saj sezoni turistik zgjaste vetëm pak javë, kapacitetet hoteliere ishin minimale dhe mundësitë ekonomike për të rinjtë ishin të kufizuara.
“Vlora kishte të njëjtin det, të njëjtin mal, të njëjtën lagunë, por nuk kishte investimet, fondet dhe vizionin që ka sot”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, transformimi i qytetit është rezultat i investimeve publike dhe private që kanë sjellë rritje të turizmit, shtim të vendeve të punës, zgjerim të bizneseve dhe përmirësim të standardeve ekonomike.
Në përfundim, ajo theksoi se Vlora e sotme është shumë larg asaj që ishte një dekadë më parë, por ende larg potencialit që mund të arrijë në vitet e ardhshme.
“Vlora është shumë larg Vlorës së vitit 2013, por po aq larg është edhe nga Vlora e vitit 2035”, deklaroi ministrja.

Fjala e plotë:
Kam ndjekur me interes të gjithë ngjarjet, mendimet, shqetësimet, protestat që kanë ndodhur gjithë këto ditë. Çështjet e ngritura, qoftë reale apo artificiale, kërkojnë të trajtohen me maturi, me reflektim, po aq sa edhe me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri.

Si fillim, dua ta nis që pavarësisht sinqeritetit qytetar, vështirësisë së saj, nevojës dhe të drejtës për t’u dëgjuar, sensibilitetit dhe revoltës së tyre për shfaqjen e shëmtuar të policisë private dhe të rendit në Zvërnec, identifikohen gjithashtu grupe të ndryshme interesi për të sjellë në momente kyçe historike, destabilitet në vend apo për të përfituar indirekt nga këto shfaqje në Shqipëri.

Më vjen mirë dhe ndjehem komode që Shqipëria ka maturuar demokracinë e vet, për të bërë e për të parë një protestë ku respektohet e drejta për protestë, ku krijohet mjedis i sigurt për të protestuar, ku secili prezanton në të gjitha format nga më seriozja deri tek ironitë therëse, kauzat e veta, ku Shqipëria tregohet që është një vend që proteston kaq paqtë, ku strukturat e policisë nuk e tejkalojnë masën e përcaktuar në ligj dhe rregullore.

Por memoria na thërret dhe na tregon se s’ka qenë fare e largët koha kur protestuesit vriteshin në mes të ditës, në mes të bulevardit, nga shteti që vetëm shtet nuk ishte. Prandaj, pavarësisht përmbajtjes, skenës e nënskenës, ndihem krenare të di që qytetarët shkojnë në protestë me fëmijët, prej sigurisë që ndjejnë nga shteti.

Nga ana tjetër, fund keq më vjen por jo-profesionalizmin e treguar nga strukturat e policisë së shtetit në situatën e ndodhur në Zvërnec, ku një protestues dhunohej nga policia private. Por si çdokush, përgëzoj reagimin e menjëhershëm ndaj heqjes së licencës së dy kompanive private, dhe shkarkimin e drejtorit të policisë shoqëruar me hetim për gjithë zinxhirin komandues.

Unë si vajzë që ka realizuar emisione televizive mjaftueshëm mirë kam parë dhe njoh se si i dezinformimi prej shtrembërimit të së vërtetës mbush shpirtin e atyre që i janë dedikuar kësaj linje jo si mision, por si përfitim ekonomik të padrejtë.

Dhe kjo gjë është e shëmtuar.

Këto ditë më ka ardhur ndërmend shprehja: “Di një gjë që s’di asgjë” teksa dëgjova të gjithëditur të më gjykonin mua, se nuk e dija që në Vlorë ka patur pelikanë e flamingo.” Të jenë sensibël për flamingot e Nartës, është normale, por jo më shumë se një vlonjate. Të jenë sensibël për flamingot edhe ata që s’janë vlonjatë sërish e pranoj, por nuk mund të pranoj dhe më duket tepër cinike që të jenë sensibël për jetën e flamingove ata që s’kanë patur pikë sensibiliteti për jetën e njerëzve, ndërsa ata po drekonin në Gërdec, apo ndërsa po protestonin në bulevard.

Kam parë një postim mbi një pikturë të Zvërnecit me pelikanë të vitit 1848 të Edward Lear. Mendova se do qeshja, me faktin se sa lehtë njerëzit vrapojnë pas të ashtuquajturit “të vetëquajturit” në fakt të zgjuar apo për t’u vetëkënaqur me shprehjen “e kapëm edhe një ministre në gabim”, hajt ta bëjmë meme.
Por nuk qesha dot, se më kujtua Vlora e viteve pas ’90-ës deri vonë në të ashtuquajturat vite të tranzicionit për demokraci, ku ne kishim avancuar vetëm në vite dhe se përveç viteve ishim shumë mbrapa sesa viti 1848 referuar pelikanëve, dhe flamingove.
Po kur thonë “ka patur pelikanë e flamingo në lagunë”, pelikanët e flamingot si zogj shtegtarë dhe kur shiheshin në qiell teksa fluturonin, u fluturonte plumbi i pushkës nga gjuetia e pakontrolluar e nga sytë këmbët të shkretët pelikanë e të shkretat flamingo, nuk dimëronin në lagunë.
Falë nismës ligjore, investimeve në ligatina, punës së ekspertëve në zona të mbrojtura, ndalimi i gjuetisë nëpërmjet moratoriumit, u vu re se në vitet 2016-2026 ndodhi rikthimi i tufave të mëdha të flamingove në Nartë, me qindra individë që filluan të përdornin sërish lagunën si zonë, ushqimi dhe dimërimi.

Statistika e të dhëna, jo nga shoqata “Qokash” sipas grupeve të interesit, por nga specialistë dhe ekspertë me të dhëna zyrtare, u pa që në vitin 2021 është regjistruar numri më i lartë i flamingove në zonë, u raportuan mbi 3000 individë dhe në vitin 2025 për herë të parë u dokumentua folezimi i tyre në Shqipëri, pikërisht në zonën e Nartës. Çka konsiderohet një sukses i madh për ruajtjen e specieve. Kjo tregon se laguna nuk po përdoret vetëm për dimërim dhe ushqim, por edhe për riprodhim. Dhe po, sot mund të themi se në lagunën e Nartës jetojnë e shumohen flamingo, dhe pelikanë. Gjatë viteve të fundit është vërejtur dhe tentative folezimi në kriporen e Nartës si një habitat i përshtatshëm për këtë proces kaq të rëndësishëm për specien. Por referuar mjedisit mos të harrojmë detin e Vlorës, ku vite më parë peshkimi bëhej me dinamit, duke shkatërruar florën dhe faunën, ku për të gjuajtur peshk çdo herë e madhe bëhej distanca nga bregu se peshqi trembeshin, nga katastrofa që u bë pa teklif. Ama sot, falë moratoriumit të gjuetisë, i cili ka ndikuar gjithashtu edhe në biodiversitetin detar, kemi specie krejt të veçanta dhe me vlerë të jashtëzakonshme nga fokat mesdhetare deri te breshka e delfini. Jo më larg sesa vjet është parë pranë Karaburunit, një ndër balenat më të rralla. Dhe për sa i takon faunës në pjesën tokësore, se mendoj që ambientalistëve njësoj u intereson të dinë edhe si ka patur rritje të konsiderueshme të popullatave të kafshëve të egra të të gjitha llojeve, nga sorkadhet deri tek çakalli. Nëse do kishim dëshirë apo qëllim të shkatërronim mjedisin, na e kishit bërë ju shumë të thjeshtë, me gjithë degradimin e ardhur nga papërgjegjshmëria e disa njerëzve, po aq sa nga mungesa e dorës së shtetit për të ndaluar masakrën e për të investuar me politika dhe fonde.
Qeveria e PS do e kishte fare kollaj, mjaftonte ta linin lagunën siç e gjetëm në vitin 2013. Sa i përket zhvillimit të Vlorës, asaj Vlore që ndër vite është përndjekur me zjarr e flakë për ta lënë pas, për ta zbehur, duke e përndjekur me mungesë investimesh e me fonde të limituara, mos më thoni që e keni harruar Vlorën atë Vlorë që kishte sezonin turistik 25 ditë në vit, në gusht vetëm kur vinin emigrantët, kur dyqanet mbylleshin në orën 6 pasdite, kur shëtitja arrinte maksimumi deri në skelë dhe kur mundësitë e punësimit për të rinj ishin kamarier, fasoneri, apo call center-a. Kur apartamentet rrinin stok, pavarësisht çmimeve në maksimumin e 650 euro m2, duke pritur ndonjë emigrant të vinte t’i blinte, kur vinte ndonjë turist e trajtonim si mbret prej inferioritetit, kur Vlora kishte vetëm dy hotele. Ishte viti 2012 kur në Vlorë do festohej 100-vjetori i pavarësisë dhe nuk kishte kapacitete akomoduese për vizitorët. Kështu ka qenë Vlora. Edhe pse njësoj si sot ka patur të njëjtin det, të njëjtin mal, të njëjtat kodra, të njëjtat fusha, të njëjtën lagunë, të njëjtin Karaburun, të njëjtin Sazan, të njëjtët lumenj. Vizioni për Vlorën ka ardhur me fonde dhe investime që kanë ndikuar në ndryshim mentaliteti, në rritje të numrit të bizneseve, në të rinj sipërmarrës, në rritje të turizmit, në rritje të njësive akomoduese, në rritje të pagave. Sot pagat në sektorin privat janë konkurruese.
Për sa i përket kritikave për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve në standardin e Vlorës europiane sot, jam nga të parët që kam kritikuar dhe do vazhdoj ta bëj, se kjo çështje nuk është çështje partie, është çështje qeverisjeje dhe vetëpërmirësimi prej formimit qytetar dhe atdhedashurisë. Sepse Vlora vërtet sot është larg, shumë larg nga Vlora e vitit 2013, por po njësoj larg është nga Vlora e vitit 2035. E për të gjithë moralistët e të gjithë diturit mos harroni se kush me hir, kush me pahir, shtatë herë në ditë mëkaton më i miri. Faleminderit.




Comments are closed.