×
Thursday, June 11, 2026

Malaj për Bankers Petroleum: Detyrimi prej 120 milionë eurosh po mblidhet me këste, janë arkëtuar 1.5 milionë dollarë

June 11, 2026


Ministri i Financave, Petrit Malaj, iu përgjigj sot në Kuvend interpelancës së kërkuar nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me ekzekutimin e detyrimeve financiare dhe mbledhjen e gjobës prej rreth 120 milionë eurosh ndaj kompanisë Bankers Petroleum.

Gjatë fjalës së tij, Malaj paraqiti historikun e çështjes, duke theksuar se procesi duhet parë në aspektin juridik dhe institucional, përtej debatit politik.

Sipas ministrit, marrëveshja hidrokarbure për shfrytëzimin e vendburimit Patos-Marinzë u nënshkrua në qershor të vitit 2004 dhe parashikonte një sërë lehtësish fiskale për kompaninë, përfshirë përjashtimin nga akciza për produktet energjetike të përdorura në nxjerrjen e naftës bruto.

Malaj sqaroi se këto lehtësi mbetën në fuqi deri më 1 prill 2014, kur ndryshimet në paketën fiskale hoqën përjashtimin nga akciza për këto produkte.

“Administrata doganore në shtator të vitit 2014 njoftoi kompaninë për një detyrim akcize të papaguar në lidhje me holluesin e përdorur gjatë proceseve hidrokarbure. Detyrimi fillestar ishte 589 milionë lekë”, tha ministri.

Ai bëri të ditur se kompania e kundërshtoi vendimin në gjykatë, duke nisur një proces ligjor që zgjati afro një dekadë dhe që përfundoi në mars 2022 me një vendim të Gjykatës së Lartë në favor të administratës doganore.

Sipas Malajt, një kontroll tjetër i kryer nga administrata doganore në maj 2019 nxori në pah një detyrim shtesë prej 3.09 miliardë lekësh. Bashkë me penalitetet dhe gjobat, vlera totale e detyrimit arriti në 12.48 miliardë lekë.

Ministri theksoi se edhe ky rast kaloi në procese të gjata gjyqësore, ndërsa në dhjetor 2025 gjykata vendosi sërish në favor të administratës doganore.

Duke folur për fazën e ekzekutimit të vendimit, Malaj tha se administrata konstatoi se kompania nuk dispononte në llogaritë e saj shumën prej rreth 120 milionë eurosh që mund të bllokohej menjëherë.

Ai bëri me dije se aktualisht është arritur një marrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimit prej rreth 3 miliardë lekësh dhe se procesi i pagesave ka nisur.

“Ky detyrim është duke u shlyer me këste. Deri më sot janë mbledhur 1.5 milionë dollarë”, deklaroi ministri i Financave.

Malaj theksoi se institucionet shtetërore kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe administrative për mbledhjen e detyrimeve, ndërsa procesi do të vijojë deri në shlyerjen e plotë të shumës së përcaktuar nga vendimet gjyqësore.




Comments are closed.