Fermerët dhe subjektet bujqësore kanë kohë deri më 26 qershor për të aplikuar në platformën “e-Albania” për të përfituar nga 12 masat e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, e cila këtë vit vjen me një fond prej 5.2 miliardë lekësh dhe kushte më lehtësuese për përfituesit.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), skema përfshin masa direkte mbështetëse për blegtorinë, bletarinë, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., kontrollin biologjik në sera, sipërfaqet e mbjella si dhe ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme.
Njëkohësisht, programi parashikon grante investimi për fermerët e rinj, ndërtimin dhe rikonstruksionin e stanëve, si dhe për blerjen e makinerive dhe pajisjeve që synojnë modernizimin e proceseve të punës në bujqësi.
Qeveria synon të zgjerojë numrin e përfituesve përmes uljes së pragjeve minimale dhe rritjes së mbështetjes financiare për fermat e vogla.
Në sektorin e blegtorisë, subvencioni për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit rritet në 12 mijë lekë për krerë, ndërsa numri minimal i kafshëve për përfitim ulet nga 10 në 5 krerë. Për tufat e të imtave, mbështetja financiare arrin në 1 500 lekë për krerë, ndërsa pragu minimal zbret nga 100 në 50 krerë.
Për herë të parë, skema përfshin edhe mbështetje për tufat bazë të dosave dhe paradosave, me 7 mijë lekë për krerë për fermat që disponojnë të paktën pesë krerë.
Rritje të konsiderueshme ka edhe për sektorin e bletarisë, ku financimi shkon në 20 mijë lekë për zgjua, ndërsa numri minimal i koshereve për përfitim ulet nga 50 në 25.
Një nga risitë kryesore të këtij viti është mbështetja direkte për sipërfaqet e mbjella. Fermerët që kultivojnë mbi 3 hektarë tokë do të përfitojnë 10 mijë lekë për hektar, pavarësisht kulturës bujqësore të mbjellë.
Skema përfshin gjithashtu masa për formalizimin e tregut bujqësor. Fermerët që shesin produkte bujqësore apo blegtorale dhe pajisen me autofaturë nga grumbulluesit ose agroturizmat do të përfitojnë kompensim në masën 10% të vlerës së shitjes.
Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve të aplikojnë brenda afatit për të përfituar nga programi, i cili synon rritjen e prodhimit, modernizimin e fermave dhe forcimin e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor.