Rama publikon pamjet e aksit Milot-Balldren: Shtysë për zhvillimin e veriut
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga projekti i aksit rrugor Milot-Balldren, duke e cilësuar nisjen e punimeve si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e veriut të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se ky investim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës, sigurisë rrugore dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
“Për Shkodrën, Lezhën dhe gjithë veriun, nisja e punës për aksin Milot–Balldren është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e zonës”, shkroi kryeministri.
Sipas Ramës, projekti do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet rrugore në veri të Shqipërisë.
Ai theksoi gjithashtu se aksi i ri pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit, zhvillimin e biznesit dhe forcimin e ekonomisë lokale në Shkodër, Lezhë dhe në të gjithë rajonin verior.
“Ky projekt do të lehtësojë lëvizjen, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do t’i japë një shtysë të re turizmit, biznesit dhe ekonomisë në Shkodër, Lezhë dhe gjithë veriun e vendit”, u shpreh Rama.







