×
Thursday, June 4, 2026

Begaj pret Presidentin e Lituanisë: Mbështetje e plotë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe Samitin e NATO-s në Tiranë

June 4, 2026


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në Tiranë Presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda, në vizitën e parë zyrtare të një kreu shteti lituanez në Shqipëri, një vizitë e cilësuar si një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gjatë takimit, dy presidentët diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sfidat e sigurisë në rajon dhe në Evropë, si dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.

Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Lituanisë, të ndërtuara mbi besimin reciprok, solidaritetin dhe vizionin e përbashkët euroatlantik.

Kreu i Shtetit shqiptar mori mbështetjen e plotë të homologut lituanez për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë bisedimeve u konfirmua se zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet kryesore të Presidencës lituaneze të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2027.

Presidenti Nausėda theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen aktualisht vendet më të avancuara në procesin e integrimit evropian dhe se Lituania do të vijojë të mbështesë përpjekjet e tyre për anëtarësim.

Nga ana e tij, Presidenti Begaj ritheksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi kryesor strategjik dhe prioritet kombëtar i Shqipërisë.

“Shqipëria do të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e reformave të nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Presidenti Begaj.

Në deklaratat për mediat, të dy presidentët vlerësuan nivelin e dialogut politik mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin për ta shndërruar këtë bashkëpunim në projekte konkrete dhe partneritete të prekshme në fusha të ndryshme.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve ishte bashkëpunimi ekonomik. Begaj dhe Nausėda theksuan nevojën për të zgjeruar lidhjet ekonomike dhe për të krijuar mundësi të reja investimi mes Shqipërisë dhe Lituanisë.

Presidenti Begaj nënvizoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon dhe si një vend që kontribuon aktivisht në sigurinë ndërkombëtare, në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian.

Ai theksoi angazhimin e vendit në misionet dhe operacionet e Bashkimit Evropian, si dhe mbështetjen e palëkundur për Ukrainën në përballjen e saj me agresionin rus.

Në fokus të takimit ishte edhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s. Të dy presidentët konfirmuan se Shqipëria dhe Lituania ndajnë të njëjtin vizion për sigurinë euroatlantike dhe për forcimin e Aleancës në një kohë kur Evropa përballet me sfida të shumta të sigurisë.

“Në kushtet e sfidave të shtuara të sigurisë në Evropë, uniteti dhe solidariteti i NATO-s mbeten thelbësore”, deklaroi Presidenti Begaj.

Presidenti lituanez, Gitanas Nausėda, shprehu mbështetjen e plotë të vendit të tij për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027, duke e cilësuar këtë si një ngjarje me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për rajonin.

Vizita e Presidentit Nausėda në Tiranë konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe një sinjal i qartë i mbështetjes së Lituanisë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për rolin e saj në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.




Comments are closed.