Rama publikon mesazhin e një qytetari vlonjat: Investimi në Zvërnec do të transformojë Vlorën dhe turizmin shqiptar

04 Jun 2026 08:58
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale lidhur me debatet dhe kundërshtitë për projektin turistik që parashikohet të zhvillohet në zonën e Zvërnecit, duke publikuar një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga një qytetar vlonjat, së bashku me pamje nga territori ku pritet të realizohet investimi.

Në postimin e tij, Rama ka ndarë një video që tregon gjendjen aktuale të zonës, duke theksuar se ajo pasqyron realitetin e territorit sot. Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një hapësirë të lënë pas dore dhe të ndotur ndër vite, ndërsa kritikoi ata që kundërshtojnë projektin, duke i akuzuar se po përpiqen të pengojnë një investim strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.

Kreu i qeverisë theksoi se projekti i planifikuar përfaqëson një investim prej rreth 4 miliardë eurosh, të cilin e konsideron një mundësi të rëndësishme për transformimin e Vlorës dhe për pozicionimin e Shqipërisë në një nivel më të lartë të turizmit ndërkombëtar.

Reklamë Ola

Në mesazhin e publikuar nga Rama, qytetari vlonjat shpreh mbështetjen e tij për investimin, duke argumentuar se zona e mbrojtur është dëmtuar ndër vite nga papërgjegjshmëria njerëzore dhe mungesa e ndërhyrjeve konkrete për ruajtjen e saj.

Sipas tij, projekti do të sillte zhvillim ekonomik, rritje të punësimit dhe më shumë mundësi për komunitetin lokal, ndërsa do të kontribuonte në kthimin e zonës në një destinacion të rëndësishëm turistik.

Reklamë InterMedika

Debatet mbi investimin në Zvërnec kanë vijuar prej javësh, me mbështetësit që e konsiderojnë atë një mundësi zhvillimi për rajonin dhe kundërshtarët që shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe në ekosistemin e zonës së mbrojtur.