×
Saturday, May 30, 2026

Karakaçi ultimatum kompanive të Aeroportit të Vlorës: Zgjidhni konfliktin brenda 30 ditësh

May 29, 2026


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës u ka kërkuar zyrtarisht dy kompanive të përfshira në ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës që të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre brenda 30 ditëve, duke paralajmëruar ndërhyrje nëse procesi vijon të mbetet i bllokuar.

Përmes një letre zyrtare, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i është drejtuar kompanive MABCO dhe 2A Group, duke theksuar se konfliktet mes ortakëve nuk mund të pengojnë realizimin e një projekti me rëndësi strategjike për vendin.

Sipas ministrit, interesi publik dhe rëndësia kombëtare e aeroportit tejkalojnë interesat private të palëve të përfshira në kontratën koncesionare.

“MIE kërkon formalisht përmes këtij komunikimi që palët të iniciojnë një proces të përbashkët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, proces i cili duhet të realizohet brenda një periudhe 30-ditore nga data e këtij komunikimi”, thuhet në shkresën zyrtare.

Ministria shprehet e gatshme të bashkëpunojë me kompanitë për garantimin e përmbushjes së detyrimeve kontraktore dhe vijimin normal të punimeve për përfundimin e aeroportit.

Megjithatë, Karakaçi paralajmëron se në rast se palët nuk arrijnë një marrëveshje brenda afatit të përcaktuar, shteti do të përdorë të gjitha instrumentet ligjore dhe kontraktore në dispozicion.

“Në rast të moszgjidhjes së mosmarrëveshjeve brenda afatit të mësipërm, MIE do të ushtrojë të gjitha të drejtat e parashikuara në kontratën e koncesionit dhe legjislacionin përkatës, në mbrojtje të interesit publik dhe interesave të shtetit shqiptar”, theksohet në letër.

Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë rrëzoi masën e sigurimit që kufizonte të drejtën e votës dhe të drejtat e tjera të shoqërisë MABCO në kompaninë koncesionare Vlora International Airport.

Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pas rekursit të paraqitur nga MABCO, ndërsa gjyqtarët vendosën të prishin vendimin e mëparshëm që ishte kërkuar nga VIA dhe 2A Group. Çështja ka krijuar tensione mes aksionerëve të projektit, duke ngritur shqetësime për ecurinë e një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Aeroporti i Vlorës konsiderohet një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe transportit ajror në jug të Shqipërisë, ndaj autoritetet kërkojnë që mosmarrëveshjet mes kompanive të mos ndikojnë në afatet e realizimit të veprës.




Comments are closed.