Rama nga Dibra: Ashtu si Rruga e Arbrit, edhe anëtarësimi në BE do të bëhet realitet
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi nga Dibra se Shqipëria do të arrijë anëtarësimin në Bashkimin Europian me të njëjtën vendosmëri me të cilën u realizua Rruga e Arbrit, një projekt që për vite me radhë konsiderohej i vështirë dhe pothuajse i pamundur.
Gjatë një takimi me mbështetësit socialistë, Rama bëri një paralelizëm mes zhvillimit të infrastrukturës dhe procesit të integrimit europian, duke theksuar se qeveria do të vazhdojë të punojë deri në realizimin e objektivit strategjik të anëtarësimit në BE.
“Po aq e vështirë dhe po aq e pamundur sa dukej Rruga e Arbrit, po aq e vështirë dhe po aq e pamundur duket rruga për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe po ju them siç e bëmë njërën do bëjmë dhe tjetrën”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se ashtu siç u kapërcyen pengesat teknike gjatë ndërtimit të Rrugës së Arbrit, përfshirë vështirësitë në tunelin e Murrizit, edhe procesi i integrimit do të përfundojë me sukses.
“Siç nuk u tërhoqëm kur edhe gjeologjia na doli kundër dhe na bllokoi për një kohë të gjatë tek tuneli i Murrizit, ashtu ne e kemi bërë deri tani dhe do ta bëjmë deri në fund edhe rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe edhe ai tunel do hapet përfundimisht për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te roli historik i Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si forcën politike që ka mbrojtur interesin kombëtar dhe ka promovuar tolerancën dhe bashkëjetesën në shoqërinë shqiptare.
Ai kritikoi kundërshtarët politikë, duke i akuzuar për përçarje dhe ndarje të shqiptarëve përgjatë viteve të tranzicionit, ndërsa theksoi se socialistët kanë ndjekur një qasje të bazuar te bashkimi dhe integrimi europian.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së kryeministrit iu kushtua reformës në drejtësi. Rama tha se Partia Socialiste ka ndërmarrë hapin historik të ndarjes reale të pushteteve, duke mbështetur pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe funksionimin e shtetit ligjor.
“Demokracia nuk funksionon nëse nuk ka tre pushtete të ndara dhe ne po bëjmë demokracinë të funksionojë pavarësisht të gjitha vështirësive dhe pavarësisht të gjitha kostove”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, hetimet dhe proceset që kanë prekur edhe përfaqësues të mazhorancës janë dëshmi se drejtësia po funksionon në mënyrë të pavarur dhe se reforma nuk është thjesht një projekt politik, por një transformim i thellë institucional.
“Kur një pushtet pranon të goditet nga një pushtet tjetër si pushteti i drejtësisë dhe nuk reagon për ta shkelur me këmbë, atëherë rruga e vendit është rrugë e sigurt, rruga e lirisë është rrugë e sigurt, rruga e të drejtave dhe e barazisë para ligjit është rrugë e sigurt”, tha Rama.
Kryeministri e mbylli fjalën e tij duke ritheksuar se integrimi europian dhe forcimi i shtetit të së drejtës mbeten objektivat kryesore të Partisë Socialiste dhe të qeverisë në vitet e ardhshme.







